Dinamo nuk rezistoi më shumë se një vit në Superiore. Zhgënjimi është i madh në radhët e tifozëve dhe drejtuesve të saj, aq më shumë kur mendon se buxheti ishte i konsiderueshëm. Po tani, çfarë do të ndodhë? Pjesa më e madhe e lojtarëve do të vazhdojnë të stërviten deri më 15 qershor, sipas një vendimi që ka dhënë klubi.

Pas kësaj date do të fillojnë edhe ndryshimet rrënjësore te kryeqytetasit. Pritet revolucion në organikë dhe jo vetëm dhe këtë e konfirmon për “Panorama Sport” vetë presidenti Adrian Bardhi. Ai garanton për një skuadër kompetitive në Kategorinë e Parë, mbi të gjitha me karakter, por preferon që detajet konkrete t’i bëjë të ditura publikisht pas 15 qershorit.

REVOLUCIONI “Për momentin është çështja e kontratave të lojtarëve për t’u zgjidhur. Por ju lutem prisni edhe pak. Pas datës 15 qershor do të mësoni dhe ndryshimet konkrete te Dinamoja. Ajo që mund të them me bindje, siç e kam thënë çdo herë, është se Dinamon nuk e lë, siç mund të mendojë dikush. Dinamo ju garantoj se do të jetë shumë serioze në vazhdim. Dua të ndërtohet një skuadër me karakter, mbi të gjitha, gjë që i mungoi sezonin që shkoi dhe tani jemi këtu ku jemi. Klubi do të ketë një strukturë të re, shumë të fortë”, u shpreh si fillim Bardhi.

Më pas ai shtoi: “Ne po punojmë dhe çdo gjë do të bëhet siç duhet e në kohën e duhur. Kemi një bazë lojtarësh nga sezoni i fundit, shumica të rinj, por sigurisht që do të ndërhyjmë edhe në merkato. Kemi menduar për të bërë katër goditje, të afrojmë futbollistë që mund të ndihmojnë skuadrën në Kategorinë e Parë për të arritur objektivin e rikthimit në Superiore. Për emra mos më pyesni tani, sepse siç e thashë, çdo gjë do të konkretizohet pas 15 qershorit. Dinamo të jeni të bindur se do të kthehet fuqishëm”, theksoi mes të tjerash numri një i klubit të bluve.

TRAJNERI I pyetur nga gazeta në lidhje me emërimin e mundshëm të Artan Mërgjyshit në krye të Dinamos, presidenti nuk tha as “po” dhe as “jo”.

Për këtë çështje ai u shpreh shkurt se do të marrë drejtim pas mesit të muajit qershor: “Edhe për këtë çështje do të shprehemi pas datës 15 qershor”.

Kuptohet qartë që çështja e kontratave të lojtarëve titullarë të sezonit të fundit po mban “peng” lëvizjet për Dinamon e re. Shpresohet që këto 5 ditë kjo çështje të marrë zgjidhje dhe t’u hapet rruga ndryshimeve që klubi ka menduar për skuadrën e Kategorisë së Parë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb