Kur mbushen 48 orë nga vendimi i Gjykatës së Tiranës, që u dha të drejtë gazetarëve të Focus Media Grup të futen në ambientet e tyre të punës, për të tërhequr sendet personale, Policia Ushtarake ka rrethuar komplet zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve dhe pengon gazetarët të futen në redaksinë që ndodhet në godinën e “Panorama Group”, edhe pse kjo e fundit nuk është në pronësi të KAYO-s së Ardi Veliut dhe e njohur nga gjykata.
Për të shkuar në këtë godinën e Panorama Group (shiko hartën) ekziston një rrugë e dytë, e cila është komplet e pavarur nga godina e News24 që ka marrë Ardi Veliu dhe KAYO.

Por edhe pse gjërat janë të qarta dhe të ndara edhe nga gjykata, vazhdon kryeneçësia e kësaj kompanie, e cila i ka dhënë urdhër Policisë Ushtarake që të mos lejojë gazetarët dhe drejtuesit e medias.
Godina që KAYO mori me forcë është e rrethuar në të gjithë perimetrin, ndërkohë që godina e dytë e “Panorama Group” është e veçuar dhe ka rrugë alternative, ç’ka hedh poshtë pretendimet e Ushtrisë së kjo është zonë e Forcave të Armatosura.
Për më shumë që në atë rrugë ushtron aktivitetin dhe shoqëria e transportit urban të linjës së ish Uzinës së Autotraktorëve dhe këta të fundit nuk pengohen ta përdorin këtë rrugë dhe parkingun që ndodhet aty.
E njëjta rrugë të çon edhe tek redaksia e Panorama Group, ndërkohë që pengesat artificiale janë krijuar vetëm për gazetarët dhe drejtuesit e mediave.
(BalkanWeb)
