Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha sot gjatë ceremonisë së marrjes së dekoratës “Nderi i Kombit” nga Këshilli Ndërfetar në Shqipëri, se ku Këshill do të merrte përsipër rolin e madh jo vetëm për të hedhur dritë mbi thesarin e mirëkuptimit fetar në vendin tonë përgjatë shekujve, por edhe për të promovuar vëllazërinë e besimtarëve tanë, në kushtet aktuale sipas divizës emblematike pa atdhe nuk ka fe.
Sipas tij, ky Këshill ka qenë kurdoherë në anën e të drejtave dhe lirive dhe të drejtave njerëzore, duke afruar me frymën e harmonisë të gjithë besimtarët drejt devocionit të krijuesit.
“Zoti i lartësuar në dhëntë fuqi të gjithëve të ruajmë dhe zhvillojmë më tej parimet dhe realitetet e mrekullueshme të dialogut të mirëkuptimit ndërfetar në Shqipëri. I lindur 14 vite më parë Këshilli Ndërfetar në Shqipëri do të merrte përsipër rolin e madh jo vetëm për të hedhur dritë mbi thesarin e mirëkuptimit fetar në vendin tonë përgjatë shekujve, por edhe për të promovuar vëllazërinë e besimtarëve tanë, në kushtet aktuale sipas divizës emblematike pa atdhe nuk ka fe. Ky Këshill falë mbështetjes së spikatur të liderëve fetarë, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë, mundi të bëjë në vazhdimësi një sintezë të qartë të konteksteve fetare jo thjesht në Shqipëri e Ballkan, por edhe me gjerë, duke qenë kurdoherë në anën e të drejtave dhe lirive dhe të drejtave njerëzore, duke afruar me frymën e harmonisë të gjithë besimtarët drejt devocionit të krijuesit. Ka qenë pikërisht kjo frymë e cila ka mundësuar vijimësinë e vëllazërisë sonë, njëherazi ka denoncuar çdo shfaqje të politizimit të besimit apo të keqpërdorimit të tij në dëm të paqes universale.
Gjej rastin këtu të bëj një falënderim në formë homazhi për paraardhësit tanë Haxhi Dede Reshat Bardhi, Sabri Koçin, Haxhi Selim Muçën dhe Imzot Rrok Mirdita, të cilët vunë gurin e parë të themelit në Këshillin Ndërfetar Shqiptar si dhe u përkujdesën në çdo çast me vëmendjen e urtësinë e tyre për lartësimin e modelit të mrekullueshëm të vëllazërisë sonë fetare. Ne udhëheqësit e rinj jemi krenarë të ecim në gjurmët e tyre. Dekorata e lartë “Nderi i Kombit” që na u akordua sot na kujton të gjithëve se duhet ta ruajmë dhe pasurojmë më tej, sfidat janë të shumta por ne mund të ia dalim përmes rrugëve shpirtërore dhe afrimit tek krijuesi, me frymën tonë të derisotme të pasurojmë këtë traditë duke trokitur në dyert e Europës shpresëplotë për çeljen e tyre, por kurdoherë me identitetin tonë fetar, kulturor dhe njerëzor. Zoti na bekoftë të gjithëve, Amin!”, ishte mesazhi i Baba Mondit.
