Marrja si të pandehur e Belinda Ballukut çeli siparin e Festivalit Kombëtar anti-SPAK. “Kanakarët” e paguar me paratë e gangrenës korruptive 34-vjeçare shqiptare iu qepën SPAK-ut sërish: arsyeja këtë radhë ishte vendimi i GJKKO-s për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, si dhe konfiskimi i pasaportës së saj. ‘Haxhi Qamilët’ e Drejtësisë së Vjetër, të cilët shohin me nostalgji kohën kur dosja penale hapej me të paktën 5,000 euro e kur avokatia ishte kthyer në ‘sekserllëk’, “duan babën” siç Haxhi Qamili i Shqipërisë së Mesme donte rikthimin e Perandorisë Osmane në trojet shqiptare. Shqiptarët ndërkohë duan SPAK-un e jo ‘babën’. Dhe jo pa arsye.
Teoria e Haxhi Qamilëve është kontradiktore; kur korrupsioni i qeverisë së Ramës ‘bënte mú’ e SPAK-u i Arben Krajës nuk ndërhynte, SPAK ishte i kapur nga Rama. Ndërkohë që kur SPAK-u i Dumanit këput një e nga një si ‘lulëkuqet’ mbi mure figurat më të rëndësishme politike të qeverisë së Ramës — Beqja, Dako, Veliaj, Ahmetaj, Balluku etj. — me masa sigurie për akuza si korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, SPAK është i Ramës sepse Rama po godet çuditërisht njerëzit me të cilët akuzohet se ka vjedhur. Ç’ka e bën edhe më tragjikomike retorikën e ‘Haxhi Qamilëve’, është fakti se akuzat më të mëdha ndaj SPAK-ut nuk vijnë nga pushteti i Ramës, por nga opozita e analistë pranë saj, që për arsye të paditura shqetësohen më shumë nga SPAK-u sesa vetë ata që sipas opozitës vjedhin.
‘Haxhiqamilizmi analatik’ nuk kënaqet me goditjen e korrupsionit, sepse në vetvete nuk ka asnjë problem me korrupsionin. Siç nuk kënaqet as me ndëshkimin e të korruptuarve, sepse në vetvete nuk ka asnjë problem me pandëshkueshmërinë. Një ‘Haxhi Qamil’ i mirënjohur i medias flet për ndëshkueshmërinë që nuk është drejtësi, e se si drejtësia nuk arrihet me ndëshkim. Pavarësisht se ndëshkueshmëria nuk është drejtësi, një ‘Republikë Prokurorësh’ që godet korrupsionin është shumë më mirë sesa zero ndëshkim kur në Tunelin e Llogarasë vidhen të paktën 50 milionë euro e kur për inceneratorin e Tiranës ‘digjen’ 90,000 euro në ditë. Një tjetër ‘Haxhi Qamil’ flet për drejtësinë e “kapur” nga Rama dhe sesi arrestimet e figurave të larta në PS janë thjesht ripërtëritje e drejtësisë enveriste, kur bashkëpunëtorët e diktatorit Hoxha goditeshin nga “drejtësia popullore” siç sot SPAK godet bashkëpunëtorët e Ramës. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, aleatët tanë strategjikë si SHBA e BE nuk do ta mbështesnin pa kompromise SPAK-un siç e mbështesin, por në sytë e ‘Haxhi Qamilëve’ demokraci është vetëm ajo e plepave; standardet perëndimore nuk vlejnë.
Realiteti është para syve tanë. SPAK ka hapur ‘kutinë e Pandorës’ të aferave më të mëdha korruptive, abuzive e kriminale të tri dekadave e gjysmë rrumpallhane të quajtur tranzicion. Tenderi i Sterilizimit, Inceneratori i Tiranës, përlarja e fondeve të IPARD-it, vjedhjet kolosale në akset Thumanë–Kashar apo edhe te Tuneli i Llogarasë etj., janë afera nën hetim e gjykim ndaj të cilave SPAK ka të hetuar e të arrestuar. Si asnjëherë më parë në historinë e tranzicionit politik, histori e gjakosur nga gjyqtarë e prokurorë të majmur nga indulgjencat e krimit të organizuar e të politikës dhe nga pandëshkueshmëria për krime me përmasa shtetërore si 21 Janari, Gërdeci, Falja e Detit dhe vjedhja te Rruga e Kombit, drejtësia shqiptare ka një fener ndriçues që i tregon rrugën drejt Perëndimit: SPAK-un.
S’do mend që ‘Haxhi Qamilët’ e Drejtësisë së Vjetër nuk e shohin si model jurisprudencën Perëndimore. “Habeas Corpus” përdoret prej tyre si mjet për amnistimin e korrupsionit të pushtetarëve të sotëm e të djeshëm, ndërkohë që për të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të mos u vjedhur dhe për shërbime cilësore publike shëndetësore, arsimore etj. nuk flitet. Si në kulturat autoritare të Lindjes së Mesme, ku të jesh i dobët e i vjedhur të bën ty me faj, ‘Haxhi Qamilët’ në Shqipëri fajësojnë popullin kur vidhet, teksa shërbejnë si dezinfektantë të qelbit korruptiv të klasës së kalbur e të qelbëzuar politike shqiptare.
Në një kohë kur ‘Haxhi Qamilët’ duan babën, shqiptarët duan SPAK-un. SPAK-u po godet pandëshkueshmërinë e po vendos drejtësinë. Mos i dëgjoni “Haxhi Qamilët”.
