Një helikopter ushtarak ugandas me tetë persona në bord është rrëzuar në aeroportin kryesor ndërkombëtar në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, tha një zyrtar i aviacionit për BBC-në.

Agjencia shtetërore e lajmeve raportoi se një zjarr shpërtheu pasi helikopteri u rrëzua në Aeroportin Ndërkombëtar Aden Adde, por ai u vu në kontroll shpejt nga shërbimet e emergjencës. Pamjet tregonin re tymi që ngriheshin nga aeroporti. “Dëgjuam shpërthimin dhe pamë tym e flakë mbi një helikopter. Tymi e mbuloi tërësisht helikopterin”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters Farah Abdulle, një nga stafi i aeroportit.

Shkaku i rrëzimit dhe shifrat e viktimave janë të paqarta. Kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil Somalez, Ahmed Maalim, i tha BBC-së se helikopteri ishte rrëzuar në seksionin ushtarak të aeroportit pasi kishte fluturuar nga baza ajrore Balidogle në rajonin e Shabelle-s së Poshtme. Ai tha se po zhvillohet një hetim për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

Trupat ugandase janë pjesë e një force të Bashkimit Afrikan (AU) që ndihmon qeverinë të luftojë grupin al-Shabab të lidhur me al-Kaedën, i cili ka zhvilluar një kryengritje brutale në Somali.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: