BULQIZË- Një ditë pas helmimit të dhjetëra nxënësve nga tymrat që çliroi vënia në punë e sistemit ngrohës në shkollën e Shupenzës në Bulqizë, Prokuroria nis hetimet. Gazetari Enver Doçi raportoi për “BalkanWeb” se prokurori i Bulqizës Rifat Stojku ka qenë dje në shkollën e Shupenzës si dhe ka parë nga afër gjendjen e nxënësve në spital.
Ai ka pohuar hapjen e hetimeve për rastin, por ka saktësuar se pas mbledhjes së provave do të nisë edhe marrja në pyetje e dëshmitarëve apo personave përgjegjës për sigurinë dhe ngrohjen në shkollë.
Ka qenë roja i shkollës ai ka vënë në punë dje kaldajën që si pasojë e dëmtimit të oxhakut ka çliruar tym duke sjellë edhe asfiksimin e 60 nxënësve.
Ndërkohë sot gjendja e nxënësve të prekur ka qenë e përmirësuar. Vetëm një prej tyre ka qëndruar në spital për mjekim të mëtejshëm, të gjithë të tjerët janë larguar drejt banesave të tyre.
Po kështu gazetari Doçi raportoi për “BalkanWeb” se specialistët e Institutit të Higjienës dhe të Shëndetit Publik kanë vendosur sot disa aparatura në shkollë për matjen e ndotjes.
Pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe ekzaminimeve të nevojshme në banesat e tyre pritet të kthehen dhe nxënësi e mësuesi që u transportuan një ditë më parë drejt spitalit të Tiranës.
Ndërkohë sot bashkia e Bulqizës ka bërë testin e radhës për sistemin ngrohës të shkollës së Shupenzës ku ka rezultuar se tashmë çdo gjë është në rregull.
(m.k/BalkanWeb)
