TIRANE –Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skender Hyseni ka hedhur poshtë lajmin e përhapur nga mediat shqiptare se bashkëshortja e tij është helmuar gjatë një dreke në Patok. Në reagimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme të Kosovës sqarohet se ajo që është ndjerë keq ka qenë këshilltarja e ministrit Hyseni dhe jo bashkëshortja e tij.

“Për hir të së vërtetës sqarojmë opinionin publik se njoftimi i shpërndarë sot nga shumë portale se gjoja bashkëshortja e Ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni është helmuar në Shqipëri nuk është i vërtetë. Në vizitën e tij Ministrin nuk e ka shoqëruar bashkëshortja, por një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, në përbërje të z. Shpend Maxhuni – drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, znj. Shqipe Mjekiqi – Këshilltare e Larte Politike dhe z. Shkodran Manaj – Këshilltar Politik”. Mund të themi se rrugës për në kthim këshilltarja është ndjerë keq dhe pas një trajtimi të shkurtër në spitalin e Laçit delegacioni ka vazhduar rrugën për Prishtinë. Me mirësjellje kërkojmë nga mediat dhe portalet që ta publikojnë këtë sqarim”, – thuhet në sqarimin e MPB-së.

MEDIAT: HELMOHET NE PATOK BASHKESHORTJA E SKENDER HYSENIT

Gazetat në Tiranë shkruanin sot se bashkëshortja e ministrit të Brendshëm kosovar u helmua gjatë vizitës në Shqipëri. Sipas informacioneve, bashkëshortja e ministrit Skënder Hyseni u helmua gjatë një dreke në Patok dhe menjëherë pas kësaj është dërguar me urgjencë në Spitalin e Laçit, me dy makina të eskortës së kabinetit të Ministrisë së Brendshme të Kosovës. Pasi ka marrë një serum, gjendja e bashkëshortes së ministrit kosovar është stabilizuar dhe ajo është nisur drejt Kosovës. Sipas gazetave, mendohet se bashkëshortes së Hysenit mund t’i ketë bërë dëm ndonjë ushqim, gjatë drekës që ajo bashkë me bashkëshortin e saj kishin planifikuar në Patok, pas vizitës që kishin bërë ditën e enjte në ambientet e Ministrisë së Brendshme në Tiranë.

(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: