TIRANE- Deputeti i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku e ka cilësuar vendim të verbër atë të Kuvendit për t’i hequr imunitetin. Frroku me anë të kësaj deklarate denoncon atë që e quan, standard të ndjekur nga Prokurori i Përgjithshëm, ndërsa shpreh mosdakordësinë me vendimin e kolegëve.
“Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe mbështetës të Partisë Kristian Demokrate!
Sot, Kuvendi i Shqipërisë, mori një vendim të verbër për të pranuar kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për të më hetuar me disa akuza të cilat i kam kontestuar tërësisht që në fillim. Unë e kam deklaruar që kur kam marrë mandatin e deputetit se përballë ligjit, jam një qytetar pa imunitet, por nuk mund të mos denoncoj forcërisht dhe publikisht standardin që ka ndjekur Prokurori i Përgjithshëm për të më hetuar mua, si dhe të shpreh mosdakordësinë time me kolegët deputetë që e kanë miratuar këtë kërkesë pa marrë asnjë provë të qenësishme”, thotë ai.
Sipas Frrokut ky është një sulm politik që i bëhet në prag të zgjedhjeve, ndërsa shpreson se ai do ta fitojë këtë betjë ligjore.
“Ky është një standard i rrezikshëm për këtë Parlament, i cili sot është i shantazhuar nga organi i akuzës në shprehjen e vullnetit që i ka deleguar populli. Kjo është një shenjë e rrezikshme për të ardhmen e institucioneve dhe politikës shqiptare.
Dua t’iu garantoj se unë do ta fitoj betejën ligjore shumë shpejt, pasi askush nuk më ndalon për të realizuar projektet e mia, të mbështetësve të mi dhe të gjithë kristian-demokratëve shqiptarë. Ky sulm politik vjen pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore, por unë dua ti ftoj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PKD-së që të jenë më të motivuar se asnjëherë tjetër për të shënuar fitoren e madhe më 21 qershor 2015. I juaji, Mark Frroku”.
(ma.ar/BalkanWeb)
