Vendimi 4 me 4 i Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra rrëzoi kërkesën e paraqitur nga Kryeministri për një çështje me peshë të lartë politike dhe institucionale, por tregoi edhe frikën e drejtësisë për të dhënë vendim të qartë kur përballë ka pushtetin.
Vota 4 me 4 u komentua gjerësisht, mes të tjerëve edhe nga ish-zyrtarja e lartë socialiste Ermelinda Meksi, e cila e përkufizon atë si produkt të një “ekuilibri frike” dhe si alarm serioz për reformën në drejtësi, duke theksuar se koston e mosvendimit e paguan sistemi dhe besimi publik.
Kjo analizë, sado elegante në teori, është e vonuar dhe e cunguar në thelb. Ndaj del jo vetëm një pyetje.
Pse zonja Meksi dhe të ngjashmit e saj heshtën atëherë kur shenjat e deformimit të reformës në drejtësi dhe shtrirja e korrupsionit në qeveri u bënë të dukshme dhe kërkonin reagim publik?
Pse nuk flasin për keqpërdorimin e parave publike?
Pse nuk reagojnë kur dikush paguan kosto të larta për shkak të padrejtësisë dhe sulmeve selektive nga pushteti?
Në kohën kur zonja Meksi ishte në pushtet, kishte debate brenda partisë dhe qeverisë. Flitej hapur për shpërdorimet dhe shkeljet. Sot kritika dhe debati janë zhdukur, denoncimi i skandaleve dhe shpërdorimit të parave publike nuk ka zë, për shkak të frikës apo interesave.
Duke iu kthyer vendimit të Kushtetueses 4 me 4, zonja Meksi flet për “aktorë racionalë” dhe “ekuilibra frike”, por në realitet bëhet fjalë për njerëz konkretë, për gjyqtarë të zgjedhur nga politika, për të bërë drejtësi në këtë vend. Ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese me përvojë reale, që e njohin drejtësinë si profesion dhe jo si emërim, votuan kundër vjedhjes e korrupsionit. Gjysma tjetër, pa histori gjyqësore dhe pa vendimmarrje reale në CV-në e tyre, zgjodhën të mbrojnë pushtetin dhe imunitetin e të pandehurës për abuzim me paratë publike.
Por ndërkohë që ata votojnë kështu, vendi po shembet. Jo figurativisht, por realisht. Rrugë të sapondërtuara po prishen njëra pas tjetrës, pavarësisht kostove marramendëse ndër më të lartat në Europë dhe Ballkan. Miliona euro të djegura, projekte të dështuara, asnjë përgjegjës, asnjë dorëheqje, asnjë ndëshkim.
Në Europë, për një biletë avioni të paguar nga buxheti i shtetit japin dorëheqje. Në kohën e zonjës Meksi, për shkelje të ndryshme jepeshin dorëheqje. Sot jo vetëm që nuk dorëhiqen, por shkelësit gjejnë mbrojtje publikisht, institucionalisht dhe juridikisht. Mbrojtësit e shkelësve e dinë se nesër mund t’iu vijë radha atyre. Prandaj e neutralizojnë ligjin, e vonojnë dhe e mbajnë peng zbatimin e tij brenda institucioneve që në fakt duhet të bëjnë drejtësi.
Tani radhën e ka Kuvendi, i cili duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Heqja e imunitetit të saj, pavarësisht përpjekjeve të maxhorancës për ta vonuar e zvarritur, është një akt i pashmangshëm, ashtu siç ishte edhe largimi i saj nga funksionet ekzekutive si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
Pavarësisht betejës politike dhe ndikimit që Balluku ka ushtruar në institucione, përfshirë edhe përpjekjet për të shtrirë dorën mbi vendimmarrjet kushtetuese e parlamentare, në fund e drejta, edhe pse mund të vonojë dhe të hasë pengesa, nuk mund të ndalet as nga pushteti, as nga korrupsioni dhe as nga heshtja e oportunistëve, të papërgjegjshmëve dhe të korruptuarve.
E drejta do ta gjejë rrugën e saj!
