Hetimet për vrasjen e 35-vjeçarit shqiptar Ferdinant Hoti, i cili u gjet pa jetë më 8 shtator në lumin Tergola, në San Giorgio delle Pertiche të Italisë, kanë nxjerrë një pistë të re të mundshme: atë të përfshirjes në një rrjet të shpërndarjes së drogës.

Sipas mediave italiane, kjo hipotezë ka dalë gjatë hetimeve të karabinierëve të Miranos për një tjetër çështje të lidhur me trafikun e lëndëve narkotike.

Në kuadër të një operacioni antidrogë, autoritetet arrestuan Eris Makajn dhe të dashurën e tij, Noemi Karibba, të cilët ndodhen në burgun e Padovës me urdhër të gjyqtarit.

Makaj ishte prej kohësh nën vëzhgimin e policisë, e cila dyshonte se ai merrej me shpërndarjen e drogës.

Gjatë një kontrolli të parë në apartamentin e tij në Spinea nuk u gjetën prova të mjaftueshme, ndërsa hetimet vijuan nën dyshimin se ai kryente shpërndarjen e dozave duke lëvizur me monopatinë dhe duke ndaluar pranë automjeteve të klientëve.

Kontrolli i dytë u krye në banesën e të dashurës së tij, në rrugën Don Minzoni në Mirano, ku karabinierët, të asistuar edhe nga njësia kinologjike, gjetën rreth 800 gramë hashash, 200 gramë kokainë dhe 2 mijë euro cash.

Në kuadër të hetimeve është evidentuar gjithashtu një lidhje e mundshme e Eris Makajt me Luigji Makajn, 44 vjeç, i arrestuar në korrik për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje në Mirano, së bashku me shqiptarin Amiol Gjoka, 39 vjeç.

Autoritetet po shqyrtojnë nëse këto episode mund të kenë ndonjë lidhje me vrasjen e Ferdinant Hotit. Viktima ishte gjetur pa jetë në lumin Tergola, ndërsa hetuesit po analizojnë edhe të dhëna të tjera, përfshirë lëvizjet dhe kontaktet e personave që mund të kenë pasur lidhje me të.

Megjithatë, lidhja mes arrestimeve për drogë dhe vrasjes së Hotit mbetet për momentin vetëm një hipotezë hetimore dhe nuk ka ende një konfirmim zyrtar se personat e arrestuar kanë lidhje me ekzekutimin.

Hetimet e autoriteteve italiane vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivin e vrasjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: