Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë në emisionin Minuta e parë në News24 komentoi faktin që SPAK ka nisur hetimet për “Albanian Files”.
Lubonja u shpreh se hetimet mund të jenë formale. Shtoi se nuk ka parë që të thirret kryeministri Edi Rama për këtë çështje.
Sipas Lubonjës, te “Albanian Files” janë projekte, që dëshmojnë qartë se në to po pastrohen paratë.
“Nuk është lajm që mund të na entuziazmojë. Unë s’kam parë që t’i bëhet thirrje Ramës. Mund të jetë gjë formale nga SPAK, sa për të larë gojën. SPAK-ut i duhet kujtuar se drejtësia e munguar është drejtësi e vonuar. Çfarë pret SPAK? Pas gjobave dhe gjithë dhunës, çfarë pret, që të na vendosi ushtrinë përpara? Se unë kështu e shikoj. Pastrimi i parave po bëhet atje, e thonë dokumente. Ose SPAK është pjesë e shtetit bandit ose SPAK duhet të funksionojë sipas Kushtetutës, të mbrojë të drejtën e qytetarëve. Mund të vijë dita, që prokurorët të jenë njësoj si ato të kohës së Enver Hoxhës. Prandaj duhet të punojnë edhe për reputacionin e tyre”, tha Lubonja.
Në lidhje me gjobat për protestuesit, Lubonja deklaroi se tregojnë se Rama po kalon në një tjetër kapitull, në një narko-shtet policor.
“Rama kërkon kapitull të ri të pushtetit, të kalojë nga një narko-shtet mediatik në një narko-shtet policor. Institucionet e shtetit funksionojnë për të mbajtur në pushtet ato persona, që kanë shumë pushtet. Është e njohur kjo logjikë për regjimet. Unë e kam përsëritur atë shprehjen “Krimi ndjell krimin”. Ky është dhe rreziku i regjimeve. Në demokraci, ai që ka bërë zullume, ndëshkohet me drejtësi, e cila për fat të keq, nuk është aty ku duhet. Duhet një bashkim, sa më shumë të jenë njerëzit që nuk tremben, aq më i dobët është regjimi.
Njerëzit duhet të bashkohen kundër regjimit. Dialogu i Edi Ramës është si dialogu i ujkut me qingjit. Rama nuk bën dialog, as me tijtë, as me tjerët, do dialog me pasqyrat, që e nxjerrin mirë, me ato që i thonë që je Skënderbe”, u shpreh Lubonja.
