Eksperti i IT, Erioni Demiri, në një lidhje me “Studio 24”, u shpreh se pas hetimeve të pritshme nga SPAK për rrjedhjen e informacioneve nga e-albania, që kanë ndodhur vitet e fundit në sistemin e AKSHI-t, mund të ketë zhvillime të fuqishme.
Sipas tij, që në fillim, centralizimi i të dhënave të institucioneve të qeverisë, në duart e një institucioni si AKSHI ishte gabim.
Demiri tha se një nga sulmet më të mëdha ndodhi në verën e vitit 2022, por sipas tij, do të duhet të hetohen.
“Ajo që është diskutuar shpesh ka të bëjë me të dhënat që përdoreshin në fushata elektorale, por patjetër nuk mendoj se ka dyshim se këto gjëra janë bërë nga një njeri i vetëm pa dijeninë e pjesës drejtuese”, u shpreh eksperti i IT, Erion Demiri.
Sipas tij, dëmi më i madh është ai që nuk matet dot, i rrjedhjes së të dhënave të shqiptarëve të cilët kanë qenë në duart e personave të paautorizuar. “Janë të njëjtat emra që dalin dhe tek rrjedhja e informacioneve në sistemin TIMS, duke sjellë humbje të besimit dhe integritetin e të dhënave”, tha Demiri.
