NGA ERJOLA JATA* TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës mbyll hetimin e thelluar ndaj disa kompanive të mëdha të prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve. Autoriteti ka dalë në konkluzion se nuk janë gjetur prova dhe evidenca direkte për një bashkëpunim mes kompanive në fjalë me qëllim krijimin e një pozite oligopoli në treg.
Autoriteti i Konkurrencës saktëson se inspektimet në disa kompani të mëdha u kryen në të njëjtën ditë dhe orë dhe përfshin një periudhe kohore janar 2010-prill 2014. Por gjatë kësaj periudhe hetimore është evidentuar gjithashtu një ngurtësim i tregut të shitjes me pakicë që sipas saj është rrjedhojë e një udhëzimi të vitit 2008, që përcakton se shitësi me shumicë i cakton çmimet shitësit me pakicë.
Në raportin e Autoritetit të Konkurrencës thuhet se pas shqyrtimit të raportit të hetimit të thelluar dhe pretendimeve të palëve në seancat dëgjimore rezultoi se nuk u gjetën evidenca të mjaftueshme që të provonin marrëveshje të ndaluara apo abuzimi me pozitat dominuese në treg.
Nga ana tjetër AK vë re se konkurrenca në këtë treg nuk është efektive sipas saj sa për shkak të strukturave të tregut dhe rregullave ligjore. Duke analizuar çështjen e strukturave të tregut autoriteti konstaton se ka hallka të tepërta që nuk justifikojnë vlerën e shtuar nga importi, zonat e lira doganore, shitjet me shumicë dhe pakicë, çka sjell rritje artificiale të kostove dhe elasticitet të ulët të çmimit të karburanteve kur ky ulet në tregjet ndërkombëtare.
Lidhur me rregullimet ligjore Autoriteti i Konkurrencës i propozon qeverisë rishikimin e ligjit për hidrokarburet me qëllim eliminimin e hallkave të tepërta në zinxhirin e tregtimit, uljen e kostove, ruajtjen e identitetit të produktit dhe konkurrimin përmes logove. Autoriteti kërkon që ndryshimet ligjore të përcaktojnë rritjen e transparencës madje ai kërkon që ndërmarrjet me shumicë të hidrokarbureve të njoftojnë këtë autoritet brenda 15 minutash për çdo ndryshim të shitjes me shumicë të karburanteve. Mbyllja e hetimit nga ana e autoritetit të konkurrencës nuk u shoqërua me asnjë masë ndëshkuese ndaj kompanive nën hetim.
(m.k/BalkanWeb)
