Prokuroria e Posaçme sekuestron pasuri të reja që dyshohet se zotërohet nga anëtarë të organizatës kriminale të drejtuar nga Ervis Çela dhe Franc Çopja, e cila ka trafikuar tonelata kokainë nga Amerika Latine drejt porteve të Bashkimit Europian.

Nën sekuestro edhe vendosur një sipërfaqe toke prej 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi të Albin Çelës, vëllai i Ervis Çelës.

Si dhe 100% të kuotave të shoqërisë tregtare ‘Check Company Sh.p.k, në rrugën e Dibrës, Tiranë e regjistruar në emër të Franc Canaj, person i lidhur me organizatën kriminale. SPAK ka sekuestruar 24 automjete në pronësi të kësaj kompanie. Organizata kriminal u godit nga SPAK më shumë se një vit më parë dhe në total u firmosën 16 urdhër arreste, përfshire dhe krerët e dyshuar të organizatës Ervis Çela dhe Franc Çopja.

Nga hetimet rezultoi se organizata kriminale ka shtrirje të gjerë ndërkombëtare dhe bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane. Si dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC.

Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të procedimit penal nr. 187 të vitit 2023 ka zhvilluar paralelisht edhe hetimin pasuror. Ky hetim ka identifikuar pasuri që përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale në emër të subjekteve në hetim dhe familjarëve të tyre.

Me vendimin nr.667, datë 14.10.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë caktoi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të shtetasve A.Ç. dhe F.C., me vlerë totale 77.000.000 lekë.

Në emër të shtetasit A.Ç:

Pasuria nr. 349/47, zona kadastrale 3321, vol. 12, faqja 5, “Tokë Arë”, me sipërfaqe 2000 m2, e ndodhur në Sharrë, Tiranë, në pronësi edhe të shtetases A.Ç.

Në emër të shtetasit F.C:

Kuota 100% të shoqërisë tregtare ‘Check Company Sh.p.k, në rrugën e Dibrës, Tiranë.

Gjithsej janë 24 automjete Volkswagen (modeli Ioniq5 dhe ID3, ID4 ) dhe 1 Toyota (modeli bZ3) në pronësi të kësaj kompanie.

Veprat penale në hetim

Procedimi penal nr. 187/2023 përfshin veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal:

Trafik i lëndëve narkotike;
Pastrim i produkteve të veprës penale;
Grup i strukturuar kriminal;
Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Shtetasit nën hetim janë: E.Ç, A.Ç, A.Ç (alias D.Ç), F.B (alias J.B), D.D, P.L (alias P.S.), F. G (alias F.Ç, alias F.H.Ç, S.P (alias V.P), G.Ç, R.M, M.K, M. M, E. Ç, R.Ç, K.Gj dhe D.P.

Rrjedha e hetimit

Organizata kriminale me shtrirje të gjerë ndërkombëtare bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e lëndëve narkotike drejt porteve evropiane dhe investonte fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Hetimet përfshinë bashkëpunimin intensiv me EUROPOL dhe autoritete nga Belgjika, Franca, Holanda, Gjermania dhe Italia, u bazuan në analizën e të dhënave të komunikimit të enkriptuara të platformës SkyECC. Nga këto hetime janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të BE-së, përfshirë Hamburgun, Anversin etj. Gjithashtu janë evidentuar rolet përkatëse të secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal si dhe është dokumentuar i gjithë zinxhiri i transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb