Pjesa e tretë

Ish- i burgosuri: “Pas ’90-ës, hetuesit mund t’i vrisja me pagesë, për 200 mijë lireta, pasi m’u afruan disa persona, për ta bërë atë gjë”!

Ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Agim Akcani, është ndër tre ish-të dënuarit politikë, të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën dy pushkatime dhe gjashtë personave të tjerë, iu dhanë 115 vite burg gjithsej. U quajtën anëtarë të “Grupit sabotator të Baldushkut”, që siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zones, morën pjesë në; “organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë”. Të gjitha këto akuza u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e, lëndë të tjera toksike.

Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Bashkim Allmuça, Agim Akçani, Emine Shima, Nadire Shima dhe Latif Daja, ishin personat që u quajtën anëtarë të “Grupit sabotator të Baldushkut”.

Siç konkluduan hetuesit e çështjes, këta tetë fshatarë të zonës, morën pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor, zhvilluan agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor, si dhe kryen aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë.

Të gjitha akuzat u ngritën pas ngordhjes së 98 lopëve të racës holandeze (shumica u therën për mish), për të cilat u pretendua se janë helmuar me zhivë e lëndë të tjera toksike. Për këtë tragjedi, ka folur kohët e fundit në media edhe një nga hetuesit e këtij “grupi sabotatorësh”, Dilaver Bengasi. Asokohe ai ishte hetues i Krimit Ekonomik, por edhe aktualisht ai përligj “sabotatorët” si realë, ashtu si edhe ngjarjen. Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk ka qenë dakord me pushkatimet e dy prej të akuzuarve, siç ishin: ndihmësmjeku Rifat Daja dhe infermieri Nuri Allmuça.

Që të dy u pushkatuan diku nëpër Shqipëri, por që edhe sot e kësaj dite, nuk u dihet varri. Hetuesi dhe formuluesi i akt-akuzës, distancohet nga pushkatimi, duke thënë se vendimi ishte i Gjykatës, por Agim Akcani, verifikoi firmën e Bengasit, mbi dokumentin e ekzekutimit të Dajës dhe Allmuçës.

Agim Akcani ishte 21 vjeç kur u dënua me 21 vite burg. Ky person është ndër 3 ish-të dënuarit politikë të mbijetuar nga ngjarja e vitit 1975, kur u firmosën pushkatimet e Dajës e Allmuçës, si dhe gjashtë persona të tjerë, iu dhanë 115 vite burg gjithsej. Ja çfarë rrëfen ai në numrin e tretë të intervistës tonë.

Z. Akcani, si ishte dhoma, qelia, ku qëndronit ju te hetuesia?

Gjatë gjithë kohës së hetuesi, për një vit kam qëndruar te 313-ta, (Burgu i Tiranës, që është dhe sot aty te Rruga “Jordan Misja”), vetëm kam ndërruar katin. Njëherë te i pari dhe pastaj te i dyti. Siç thashë, kam qëndruar dyshe në qeli, me 3 të arrestuar të ndryshëm.

Dhoma ishte 1 e gjysëm, me 2 e gjysëm. Atje kishte batanije dhe dërrasë. Një pagure gjysmëlitërshe dhe njëra ishte me ujë, tjetra duhej për të urinuar. Edhe atje kishte diferencime. Këtë paguren, edhe mund ta mbushje “me ujë trupi”, se ishim dy veta. Nëse të kishte “për zemër” hetuesi, ai të nxirrte edhe para kohe në banjo. Përndryshe…!

Ishte me orar, vajtja në tualet?

Po, vetëm dy herë në ditë. Me orar. Ndonjëherë as në tualet nuk arrinim të shkonim, sepse mund të kishim një tjetër orar: atë të rrahjes nga hetuesit. Kështu që kur ktheheshim nga dajaku, e pagurja ishte mbushur plot, detyroheshim të uronim mbi dërrasën te dhoma…!

Po ushqimi?

Ushqimi ishte tre herë në ditë. Por ashtu si me urinimin, e njëjta gjë ndodhte edhe me ushqimin. E bënin kastile, që kur vinte orari për të marrë ushqimin, pak minuta para, na merrte hetuesi te dhoma e dajakut. Këto ishin metoda të rrënimit psikologjik.

Po dushi?

Mos ma kujto. Ujin e ngrohtë, nuk e pashë asnjëherë me sy për asnjë vit. Dushi më i shpeshtë, ishte kovat me ujë surratit, për t’u përmendur pas dajakut të hetuesve…!

E kishit idenë e kohës, gjatë kohës së qëndrimit në hetuesi, si orientoheshit për datën, muajin?

Në mëngjes na nxirrnin për ajrosje, ky ishte i vetmi moment që mund të ftillohesha sadopak, se çfarë po ndodhte, pasi kisha humbur nocionin e kohës. Te 313-ta, ka patur dikur ca plepa që sot nuk janë më. Atje mësonim, se çfarë muaji mund të ishte. Sepse shikonim sythet, pastaj lëshoheshin gjethet, pastaj nisën të zverdhen, derisa ranë.

Nuk kuptohej qartë muaji, por të paktën e kuptoja, se çfarë stine ishte. Shpesh përpiqesha që të kuptoja datën apo muajin, nëpërmjet shkresave që na sillnin për firmosje, por çuditërisht, atje gjithnjë mungonin ato. Ishte vendi bosh. Siç duket kjo ishte taktikë e hetuesve, për të humbur kujtesën dhe mendjen e të burgosurve.

Pas përfundimit të hetimeve, u paraqitët në gjyq. Shkuat si grup me të njëjtën makinë, apo veçmas

Personalisht kam shkuar veçmas, por besoj edhe për të tjerët njësoj ka qenë. Jo me autoburg, por makinë, nga ato të policisë a ushtrisë.

Çfarë kujtoni nga gjyqi?

Është e çuditshme. Mbaj mend me detaje, çdo gjë nga jeta ime, por gjyqin e mbaj mend, shumë të mjegullt. Nuk e di pse, por besoj ngaqë kishim rënë shumë fizikisht dhe moralisht. Isha në një pike, që mendoja më mirë i vdekur, se sa i gjallë. Hetuesia më kishte lodhur aq shumë, saqë thoja më mirë të vdes, se sa të jetoj më nën tortura.

Ishit i gjithë grupi në gjyq?

Nuk e di, pse mungonte vetëm njëri nga ne të grupit. Madje ai që Sigurimi i Shtetit, e quante; “Kapobanda”. Latif Daja, është vëllai i Rifat Dajës, i cili u pushkatua. Vetë Latifi, u dënua me 25 vite burg.

Pse me 25 vite burg, nëse ai ishte “Kapobanda”?!

Nuk e di se çfarë ndodhi. Montimi i procesit, dihet vetëm nga hetuesit. Nuk e kam idenë se pse, por vetëm kaq kam marrë vesh. Që Dilaver Bengasi, kur ka takuar Latifin, i ka thënë: “Nuk ka qenë yt vëlla për t’u pushkatuar, por ti”! Absurditete të dikaturës…?!

U dënuat direkt pas një seance gjyqësore, apo shumë të tilla?

Dënimi mund të jepej brenda një seance, por u bënë shumë. Nuk e mbaj mend saktësisht numrin e tyre. Këta kishin një stil: për të përligjur organizatën kriminale, e bënin edhe procesin, si më të madh, me shumë seanca, si për të treguar se ja, po zbulojmë armiqtë, po i godasim me prova e, dëshmi.

A jeni pyetur, gjatë këtyre seancave?

Nuk ua mbante të bënin pyetje, sepse kishin hall se mos përgjigjeshim për të vërtetën. Procesi ishte një mal me gënjeshtra dhe nëse ri pyeteshim, atëherë do të dukej haptas e qartas, montimi i dosjes fantazmë. Do të dilte e vërteta, që ne do të dënoheshim të pafajshëm. Secili nga ne, kishte polic për krahësh dhe ngriheshim e uleshim me urdhër. Nën mbikëqyrje maksimale.

A kanë qenë prezentë hetuesit, gjatë proceseve gjyqësore në sallë?

Sigurisht që po. Kanë qenë këta hetues: Dilaver Bengasi, Dino Leli, Kosta Gazeli, Fahri Kraja, Koço Josifi, Kadri Ismailati, Bujar Jazexhiu. Këta persona i shoh çdo ditë, edhe sot. Edhe tani që po flasim. Më përndjek akoma, mizoria e tyre.

A janë gjallë aktualisht këta ish-hetues dhe a keni marrë guximin të takoni ndonjërin pas lirimit nga burgu, apo edhe ditët e sotshme?

Me sa di unë, gjallë janë, përveç hetuesit Bujar Jazexhiut. Nuk kam marrë guximin t’i takoj, sepse me këta persona, ka dy rrugë: Ose u flitet dhe “u flitet mirë”, ose injorohen. Ata janë kriminelë dhe në rast se do të zgjidhja rrugën e parë, duhet që t’i vrisja. Po ju tregoj diçka: Më janë ofruar njerëz që, për 200 mijë lireta, ishin gati t’i vrisnin një e nga një. Ndonjë edhe më pak. Në fillim të demokracisë, 200 mijë lireta ishin shumë dhe unë i kisha, sepse isha ndër të parët, që emigrova në Itali.

Kisha shumë e shumë më tepër, mund të vrisja dhjetëra persekutorë, me anë të vrasësve me pagesë. Si unë, mund të kishin vepruar edhe shumë të tjerë, ish-të burgosur politikë, por jemi përmbajtur. Unë jam përmbajtur. Po t’i vrisja, do të bëhesha dhe unë kriminel. Unë nuk isha i tillë, nuk jam i tillë. Tashmë kam një familje të mrekullueshme. Kam një vajzë që nuk dua të ketë një baba kriminel, por një baba fisnik, që di të falë e të shohë jetën përpara.

Unë kam bërë burg politik, por nëse do të bëja burg kriminelësh nuk besoj se vajza ime do të ishte aq krenare për mua. Emrat që përmenda më sipër, sa i sheh të detyrojnë të bëjnë krim, por është mirë t’u rrish larg, të ikësh vrap. Janë këta hetues, që pushkatuan dy njerëz dhe dhanë dënim një shekull e gjysmë burg, për ne të tjerët. Personalisht, më dënuan 21 vjet burg.

Si u ndjetë kur dëgjuat vendimin, për 21 vite burg?

Gjatë vuajtjeve në hetuesi, m’u duk si shpëtim ky dënim. Mësova realitetin ku jetoja, në një sistem që me gjithë mend që, dënoheshin njerëz të pafajshëm.

Po dy personave që iu shqiptua dënimi me vdekje, si reaguan?

Nuk reaguan, ishin të mpirë. Nuk folën. Sepse pavarësisht se u shqiptua dënimi me vdekje, nuk mund të flisnim, pa ua kërkuar. Kur ua kërkuan, atëherë folën. Për të qenë më i saktë, deklarimet e tyre, janë në proces-verbal, të cilën ju e dispononi tashmë…!

Kur e mësuat pushkatimin e tyre?

Fati i tyre u duk që aty, u vulos. Ne të tjerëve na nxorën dhe na çuan në kaush, ndërsa ata jo. Nuk i pashë kurrë më që pas daljes nga gjyqi dhe më vonë mësova nga shokët e Spaçit, që ishin ekzekutuar.

Bengasi, nuk ka pranuar në asnjë moment, se ju ka dënuar ju apo, se ka pushkatuar dy të tjerët nga grupi. Ai thotë se ishte thjesht hetuesi, gjykata vendosi…!

Unë kam qenë i pandehuri i tij dhe di kaq: Se ai është ideatori dhe ekzekutori i këtij akti kriminal për mua dhe të tjerët. Ka dënuar njerëz të pafajshëm, me qindra. Nëse ka ndonjëherë drejtësi, edhe 90 vjeç, edhe 100, edhe në prag të vdekjes, ai duhet të dënohet, siç dënoheshin e dënohen dhe sot kriminelët nazistë. Bengasi di, jo vetëm Baldshkun, por edhe për tunelet e Linzës, ku ndodhet Rifati dhe Nuriu.

Di edhe për Malin me Gropa, Kodrën e Priftit, Urën e Beshirit dhe në fund, siluetën e tij, e kam parë në 2 korrikun e Ambasadave. Është mirë t’u thotë ndonjë fjalë familjarëve, se ka nëna që kërkojnë akoma bijtë e tyre, djemtë kërkojnë baballarët. Bengasi duhet të tregojë varret pa emër, por edhe për varret që nuk kanë asnjë shenjë. Ai ua di varret dhjetëra të pushkatuarve, ndaj duhet t’i tregojë, se ku ndodhen ato, që familjarët të paktën t’u gjejnë kockat, që të kenë një vend ku t’i qajnë.

Mendoni se ai e di se ku është varri i Rifat Dajës dhe Nuri Allmuçës?

Normalisht që i di, Bengasi ka hedhur firmën e tij sa një derr, mbi fletë.

Shpesh të burgosurit, tentonin që t’i shkruanin letër sqarimi apo kërkesë për falje Enver Hoxhës. A tentuat edhe ju t’i shkruanit, duke qenë se ndiheshit i pafajshëm?

Jo. Unë para se të arrestohesha, e dija shumë të mirë sistemin e komunizmit dhe sidomos Enver Hoxhën. Javët e para në hetuesi, akoma mendoja se; “Hëëëë, akoma nuk e ka marrë vesh Enver Hoxha, se ai është babaxhan, se po ta dijë ai – nuk lejon nga këto gjëra, që të pafajshmit të rrinë nëpër burgje”. E fantazi të tjera si këto, mendoja plot. Muaj pas muaji kuptova, se komunizmi, Enveri dhe diktatura, janë një dhe e vetme.

Dukej qartë që edhe hetuesia, kishte një udhëzim për çdo çështje. Kuptova që sistemi i komunizmit, jetonte me të burgosurit, ata nuk paguheshin, ishin njerëz pa vlerë, skllevër për të mbajtur në këmbë pushtetin. Sigurimi i Shtetit, hetuesi e gjithë aparati shtetëror, ishte produkt i Enver Hoxhës. Ai ishte kryekrimineli dhe këta pjella të tij.

Ku ju çuan pas dënimit?

Pasi më komunikuan vendimin, më kthyen edhe njëherë në hetuesi. Më mori Kadri Ismailati. Nëndrejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, bashkë me lakejtë e tij. Sikur po më merrte me të mira, më tha: “Partia është si nëna, me njërën dorë të hedh dhe me tjetrën të pret. Këto 21 vite burg, kjo nënë t’i bën edhe 21 ditë, në rast se do të sillesh mirë. E ke në dorë ti. Ndryshe, do të jesh për 21 vite, në galerinë nr.7, në Spaç…”! Ishte përpjekje për rekrutim, për t’u bërë bashkëpunëtor i tyre.

Unë kujtova se me marrjen e dënimit, do t’i shpëtoja drurit, por aty jam rrahur paq, për herë të fundit. Sepse unë u thashë: “Kjo lloj nëne, që të jep 21 vjet burg, duke qenë i pafajshëm, kjo nuk është nënë, por kurvë…”! Aty m’u lëshuan në grushta e shkelma dhe çfarë gjetën në dhomën e hetuesisë, derisa më lanë shakull, pa ndjenja. Kadri Ismailati, dora vetë, më ka rrahur herën e fundit në burgjet e diktaturës, pastaj, nuk jam prekur më me dorë. Shpëtova nga druri. Më çuan në kaush, ngjitur me Burgun 313.

Akt-akuza dhe dënimet

Pas hetimeve të nisura më 10 nëntor 1975 për ngordhjen e lopëve, u publikua akt-akuza e formuluar më 7 dhjetor 1976, mbi grupin e arrestuar, me këto pika:

– Kanë marrë pjesë në organizatë kriminale kundër pushtetit popullor.

– Kanë zhvilluar agjitacion e propagandë, me qëllim minimin e pushtetit popullor dhe kanë kryer aktin e diversionit duke i shkaktuar një dëm ekonomisë socialiste në shumën 359.983.80 lekë.

– Krime këto të parashikuara nga neni 70 dhe 73/1 në kombinim me nenin 76 të kodit penal”

Çështja u gjykua fillimisht në Gjykatën Popullore të Tiranës. Procesi i gjykimit ka filluar më 24 deri në 27 janar, për të përfunduar më 31 janar 1977, me vendimin përkatës:

1.- Rifat Daja, i vitlindjes 1949, ndihmës mjek, (vëllai i Latif Dajës) dënuar me vdekje me pushkatim, në vitin 1976. (Familjarët nuk e kanë gjetur varrin as sot).

2.- Nuri Allmuça, i vitlindjes 1939, infermier, dënuar me vdekje me pushkatim në vitin 1976. (Familjarët nuk e kanë gjetur varrin as sot).

3.- Selman Balla, i vitlindjes 1944, përpunuesi i ushqimit, dënuar me 22 vjet burg. Ka vdekur.

4.- Bashkim Allmuça, i vitlindjes 1918, arsimtar me shkollë të mesme, dënuar me 18 vjet burg. Ka vdekur.

5.- Agim Akcani, i vitlindjes 1953, brigadier, dënuar me 21 vjet burg.

6.- Emine Shima, e vitlindjes 1955 (mami), dënuar me 15 vjet burg. Vdiq në burg.

7.- Nadire Shima, e vitlindjes 1952, mjelësja e lopëve, e motra e Emines, punëtore, dënuar me 14 vjet burg. (Jeton).

8.- Latif Daja, ish-përgjegjës i sektorit, në momentin e arrestimit ishte punëtor. U dënua me 25 vjet burg. (Jeton). Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: