Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se përfaqësuesit e “nivelit të lartë” të SHBA do të takohen me homologët e tyre rusë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të premten për të diskutuar një zgjidhje për konfliktin në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan folën për gati 90 minuta me telefon të mërkurën, duke shënuar ndërveprimin e parë të drejtpërdrejtë midis krerëve të shteteve ruse dhe amerikane që nga përshkallëzimi i konfliktit të Ukrainës në shkurt 2022. Të enjten, Trump tha se telefonata kishte hapur rrugën për kontakte të mëtejshme të drejtpërdrejta midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë.

“Ata do të kenë një takim nesër në Mynih. Rusia do të jetë atje me njerëzit tanë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

Trump shtoi se “Meqë ra fjala është e ftuar edhe Ukraina”, por nuk specifikoi formatin e takimit apo nuk sqaroi nëse do të ishte një dialog trepalësh apo një seri bisedimesh dypalëshe.

“Nuk jam i sigurt saktësisht se kush do të jetë atje nga ndonjë vend, por njerëz të nivelit të lartë nga Rusia, nga Ukraina dhe nga Shtetet e Bashkuara,” shtoi lideri amerikan.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha më herët të enjten se fakti që të dy presidentët kishin shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në dialog ishte një “arritje shumë e rëndësishme” që “ka vënë në lëvizje një aparat ndihmësish, ministrish e kështu me radhë, që tani gradualisht do të fillojë dialogun dhe do të përgatisë kontaktet e ardhshme”.

“Tani që liderët kanë demonstruar vullnet politik dhe u kanë dhënë ndihmësve të tyre udhëzimet e nevojshme për të nisur komunikimin, kërkojmë pak durim. Këto diskutime kanë nevojë për kohë për të fituar vrull”, tha Peskov.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb