(vijon nga numri i djeshëm)
Reparti special i Policisë riktheu në Shqipëri sportin burrëror të boksit, të hequr zyrtarisht nga veprimtaritë kombëtare në vend. Kanë qenë të shumtë pasionantët e këtij sporti, por veçohen Arben Kadriu, Sami Xhameta, Luigj Gjeta, Genc Shehu, Naim Memushi, Ardian Dibra, Luan Çela, Ndue Doda, Arben Gjeka, Skënder Kurti (sot trajner i shquar i një ekipi boksi në kryeqytet) etj. Nga ky repart dolën pionierët e xhudos shqiptare, Anton Shkoza (sot tetraplegjik nga dëmtimi i rëndë që pësoi në përgatitjet intensive për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike në Sidnej) dhe Labo Çabo (ky efektiv i këtij reparti qysh në shtatorin e vitit 1982, aktualisht trajner i ekipit kombëtar dhe sekretar i Federatës së Xhudos). Emri i mirë dhe fama e kompanisë sambiste u përdor shpesh edhe për të argëtuar udhëheqësit komunistë me duele “gladiatorësh”. Në kujtesën e specialëve të asaj kohe janë të pashlyera ballafaqimet fizike sportive të tyre, në boks, mundje e xhudo, me efektivat specialë të Gardës së Republikës.
Më 11 nëntor 2011, në përkujtimore, ndonëse nuk bëhej fjalë për repartin special nr.326, aty qenë të ftuar vetë ish-komandanti i parë, Nexhmiu i gjatë, “ende i gjallë”, por që hezitoi të nxirrte nga goja një fjalë të vetme për atë histori mundimesh e sakrificash të një rruge që meriton të mos mohohet. Aty erdhën edhe shumë ish-pjesëtarë të repartit special nr.326, duke dëshmuar në heshtje se ai repart nuk u krijua më 11 nëntor 1991, por më herët, në janar 1982. Këtu ka vend për të sqaruar se më 11 nëntor u reformua reparti nr.326 dhe reparti special mori nr.88, pra jo “RENEA”, me mision tashmë të cilësuar “për të zgjidhur situata me tendenca terroriste”.
Çfarë kishte ndodhur në Shqipëri në këtë periudhë, që solli këtë ndryshim emërtimi?! Fillimisht duhet sjellë në vëmendje se ngjarja e 2 korrikut 1990, qe një sinjal se ngjarjet e Timishoarës, Rumani, nuk përjashtohej që të ngjanin edhe në Shqipëri, e nga kjo duhej menduar me largpamësi. Është i njohur publikisht shërbimi i janarit të vitit 1991, në rebelimin e të burgosurve ordinerë në Shënkoll të Lezhës, ku disa të dënuar morën peng gardianët dhe u armatosen me armët e tyre. Në këtë rast veprimet e specialëve kanë qenë të standardeve të njësive analoge, duke realizuar stabilizimin e gjendjes me veprime të kombinuara të grupeve të sulmit, mbështetjes dhe përdorimit gjerësisht të lotsjellësve e plumbave plastikë, pa asnjë viktimë ndërmjet tyre, por me shumë specialë të plagosur, madje edhe nga lëndët plasëse që u përdoren aty. Qamil Gjedia është i gjallë, ai ka lënë aty një copë të njërës gollganë, si dëshmi e një ngjarje kriminale që u zgjidh vetëm nga forcat speciale. Veprimi i tyre në këtë shërbim përbën një përvojë të çmuar dhe reflektoi cilësi të larta profesionale e veçanërisht fiziko-morale. I kësaj shkalle vështirësie qe edhe shërbimi në burgun e Lushnjës, ku situata u zgjidh falë aktivizimit në shërbim të efektivave sambiste, të repartit special nr.326, dhe në këtë rreth, i ndjeri Agim Sokoli, ka lënë gjysmën e dhëmbëve nga një goditje “alla Piro i Epirit”. Më 20 shkurt 1991 demonstruesit e mbushur me urrejtje për sistemin komunist rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, duke pasur përballë specialët e braktisur nga shteti dhe të pajisur me fishekë manovre e plumba plastikë. Dy ditë më vonë, më 22 shkurt, “ende pa u krijuar reparti që festoi ditëlindjen”, kur demonstrues të organizuar rreth Partisë Demokratike sulmuan shkollat ushtarake, ku pati organizime e lëvizje për të rivendosur me dhunën e armëve shtatoren e “komandantit”, që qëndronte “hijerëndë” në oborrin e Akademisë Ushtarake, u vra speciali Lulëzim Sulollari. Të nesërmen e kësaj dite shkuan në Trento dhe në Bolzano, në Itali, sambistët sportistë cilësorë, pjesa më e zgjedhur e repartit special, nr.326, për pjesëmarrje në kampionatin botëror të forcave speciale, ku morën medalje mundësit Fatmir Muça, Bujar Taullahu, ndër pionierët e parë të bërthamës speciale, sepse fituan edhe ndaj ish-kampionëve të botës, u shquan Ndue Doda, Jak Ndoka, Fatos Hidri e Robert Shamo.
Ky eveniment nuk mund të fshihet nga kujtesa dhe duhet të jetë një pishtar në rrugëtimin e forcave speciale të Policisë së Shtetit. Pas ngjarjeve në Durrës e Vlorë, ku pati përpjekje të pallogaritshme të qytetarëve për të emigruar memjete detare, që solli edhe pezullimin e përkohshëm të punës në këto dy porte, detyrat e repartit special u shtuan shumë, mbasi në këtë periudhë kishte rënë së tepërmi morali i efektivave të policisë. Ngjarja e 2 prillit 1991, në Shkodër, ku u vranë gjatë demonstrimeve katër të rinj, revoltuan në masë popullsinë në të gjithë vendin, por sollën edhe arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Hajredin Shyti, të drejtuesve të policisë lokale Çapajev Taçi, Dilaver Papare dhe Gjekë Çelaj dhe pati akuza për shumë të tjerë, duke ndikuar ndjeshëm në moralin e Policisë.
Më 29 maj, pas thirrjes që ishte bërë dy ditë më parë në një miting, në Valias, në sheshin “Skënderbej” u zhvillua një manifestim pa autorizimin e autoriteteve kompetente, siç e kërkon ligji, i cili përfundoi në përleshje me forcat e rendit, me thyerje të xhamave të Pallatit të Kulturës, me djegien e “Bar Sahatit” dhe të klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke përballur kryesisht repartin special me mijëra protestues, ku nuk mungoi dhuna deri në hapjen e zjarrit në ajër, me armë luftarake, dhe përdorimin e ujëhedhësve me solucione me ngjyrë, për të identifikuar individë të rrezikshëm. Pasojat në mjete qenë të shumta, madje pati edhe djegie të tyre, ndërsa urrejtja u përqendrua tek “sambistët” e repartit special nr.326. Gjendja e rendit publik dhe e sigurisë në të gjithë vendin ishte tej mase e rënduar, lëvizja greviste në vend, për të rrëzuar qeverinë e kryesuar nga Fatos Nano, që fitoi zgjedhjet e 31 marsit 1991, pa e hiperbolizuar, nuk qe demonstrim por dhunë me të gjitha mjetet, duke djegur e shkatërruar, vjedhur e plaçkitur, aq sa trishtimi pushtoi vendin dhe çdo gjë ishte afër revolucionares. Dhuna ndaj punonjësve të policisë arriti deri në kufijtë e terrorit sa që u pakësuan uniformat, filluan largimet “me dëshirë nga puna”, dezertimet dhe madje pati edhe çarmatosje të shumë punonjësve të policisë. Shkodra, Kavaja, Lezha, Elbasani, Durrësi, Vlora e Tirana u bënë epiqendra të përplasjeve të policisë me demonstruesit e vendosur për përmbysje pushteti deri në ekstrem dhe këtu nuk mund të vepronte me efikasitet asnjë strukturë tjetër veç sambistëve.
Krahas tentativave për eksod, me të gjitha mënyrat e mjetet, u shtuan shumë vjedhjet dhe grabitjet e pronës shtetërore, ku qytetarët e fshatarët, të organizuar në grupe, rrëmbenin me vetëgjyqësi e shpesh me dhunë pasurinë shtetërore. Njëherazi filloi gjakmarrja, duke ringjallur kanunin e zakonet e vjetra, si dhe hakmarrja e vetëgjyqësia për motive pronësie e arsye të tjera.
Vjedhjet dhe dëmtimet masive në Mamurras e në Laç, Pukë e gjetkë, ku qenë objekt sulmi shumica e depove, ndërmarrjeve e dyqaneve shtetërore, sollën shumë dëmtime dhe vënien e zjarreve për djegien e objekteve e zhdukjen e gjurmëve. Vizitat në Shqipëri të Aleksandër Langer dhe të Perez de Kuelarit (sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara), ushtruan trysni ndaj qeverisë komuniste të Ramiz Alisë, për të zbutur metodat e menaxhimit të trazirave civile në vend, duke larguar nga kjo detyrë forcat në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ish-repartet e mbrojtjes territoriale. Vizita e sekretarit amerikan të shtetit, Xhejms Bejker, në qershor të vitit 1991, pati efekte të tjera në zbutjen e kundërveprimeve ndaj protestave e demonstratave në Tiranë e në rrethe dhe për kufizimin e veprimtarisë së sambistëve.
Në korrik 1991, u miratua ligji për Policinë dhe më pas ligji nr.7551, datë 22.01.1992 “Për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë”. Ministria e Punëve të Brendshme u shndërrua në Ministri e Rendit Publik, e drejtuar nga Bajram Yzeiraj, njëri nga specialistët më të aftë në atë dikaster në fushën e policisë. Në rrethe u krijuan Degët e Rendit Publik ndërsa Forcat e Mbrojtjes Territoriale, deri në atë kohë në varësi të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u morën në varësi të Ministrisë së Rendit Publik, duke u quajtur “Forcat e Rivendosjes së Rendit” e më pas “Forcat e Ndërhyrjes (reagimit) së Shpejtë”, me mision ndërhyrjen e shpejtë dhe rivendosjen e rendit në zona të ndryshme në vend. Ndërkohë gjendja ekonomike në vend paraqitej katastrofike, aq sa pak ditë më pas Ylli Bufi, kryeministër, deklaroi se “Shqipëria ka edhe 6 ditë bukë”. Marrja në varësi organike e ish-reparteve të Mbrojtjes Territoriale dhe shndërrimi i tyre në reparte të ndërhyrjes së shpejtë sollën ndikime në buxhetin e shtetit, tashmë nuk kishte ushtarë pa pagesë, por punonjës me pagë. Duhet theksuar se struktura të tilla qenë krijuar në çdo rreth, ku Tirana me 4 reparte dhe Shkodra e Durrësi me nga dy apo tre të tillë mbanin peshën kryesore, pa harruar Lushnjën, Elbasanin, Dibrën, Korçën, Mamurrasin, Pogradecin, Gjirokastrën, Vlorën, Beratin etj.
Thelbësore duhet konsideruar edhe fakti se në kushtet kur efektivat dhe shërbimet e policisë u mekën, u plogështuan, u asfiksuan e u shthurën, ndaj repartit 326, sidomos në Shkodër, Durrës, Tiranë, Lushnjë, Elbasan dhe Vlorë qe krijuar një imazh i keq, madje, duhet pranuar me sinqeritet, deri në urrejtje edhe nga drejtues të shumtë të Partisë opozitare, asaj Demokratike, të cilët nisen një presion mediatik dhe në tubime kërcënonin se: “të gjithë sambistët do t’i dërgojmë në litar”. Kjo ka qenë një arsye tjetër që mbi bazën e repartit special të Policisë nr.326, më 11 nëntor 1991, të riorganizohej, të reformohej e të krijohej reparti i policisë nr.88, me një strukturë të reduktuar me përfaqësuesit më të zgjedhur, tashmë jo “për të zgjidhur detyra urgjente e të rëndësishme që do të diktonte situata”, por për të goditur aktet terroriste në vend.
Ky përcaktim i leverdiste qeverisë së asaj kohe se me këto terma justifikonte pamundësinë për të mbajtur në zotërim situatën që kishte dalë krejtësisht nga kontrolli dhe justifikonte mbajtjen në organikë të elitës së policisë, që kritikohej e anatemohej dita-ditës. Reparti nr.88 përfitoi pagë shtesë në masën 80%, për të gjithë trupën operacionale. Nga kjo datë e në vijim, ata që shkruan historikun e repartit kanë përmendur ecurinë e këtij reparti, por kanë gabuar në emërtimin e tij, duke e quajtur “RENEA”. Për hir të së vërtetës, me qëllim saktësimin e kësaj çështjeje, sqaroj se nuk ka gjëkundi një akt administrativ që të cilësojë shndërrimin e repartit special nr.88 në repartin “RENEA”. Në atë kohë unë kam qenë komandanti i atij reparti, ku zëvendësova në detyrë shokun tim, Sejdin Brahimi, më 15 maj 1992. Emrin “RENEA” ai repart e ka të pagëzuar nga ish-ministri i Rendit Publik, Bashkim Kopliku, duke marrë shkronjat e para të “Reparti i Neutralizimit të Elementeve të Armatosur”, d.m.th. “RENEA”. Kopliku kishte bërë një vizitë në Vjenë, në verën e viti 1992, madje kishte shkuar edhe në repartin special, analog me “RENEA” aktuale, i cili thirrej “G.E.K”, (gendarmerie einsatz komando-komando speciale të xhandarmërisë), koduar “COBRA”.
Në një takim që zhvilluam në fillimgushtin e vitit 1992, para se unë të trajnohesha në ato forca, ministri Kopliku më ka pyetur për misionin e repartin që unë drejtoja (reparti special i Policisë, nr.88) dhe bazuar në emrin e forcave speciale austriake krijoi emrin “RENEA”. Zëvendësimi i emrit është bërë gradualisht nëpërmjet korrespondencës, duke filluar nga muaji gusht 1992 dhe pas një komunikimi nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Astrit Mehaj. Për të sjellë këtë argument më ndihmoi edhe miku im Anton Shkoza, i cili ulur në karrigen e tetraplegjikut, ditën e festimit, kishte vënë mbi gjoks dokumentin e identifikimit për hyrje në repart, shënuar “reparti nr.88”, i firmosur prej meje, në vitin 1993. Emri “RENEA” fitoi qytetari dhe shpejt zëvendësoi nr.88 në korrespondencën e repartit me Ministrinë e Rendit Publik. Për sa shkrova më sipër është mirë të shprehen edhe të gjallët, dëshmitarë të atyre evenimenteve që i vlejnë historisë së repartit, asaj të Policisë, por edhe asaj të Shqipërisë. Historianët apo hartuesit e historikëve do të bënin mirë të “kuvendonin” me ish-policët e repartit nr.326, sambistët që shkruan të parët emrin e madh të atij reparti sakrificash, të shfletojnë dosjet e Arkivit të Ministrisë së Brendshme, të pinë ndonjë kafe me zotërinjtë Nexhmi Zotaj e Sejdin Brahimi, me komandantët e tjerë të cilët për etikë nuk po i përmend; të respektojnë hartuesit e akteve që janë gjallë, Bajram Yzeiraj, Vladimir Hysi e Bashkim Kopliku (që meritonin të ishin në përvjetor). Unë nuk kam nevojë të pyetem se mua nuk më lë rehat zemra ime rebele, që e zbukurova jo me medalje (nuk mora asnjë në forcat speciale, se ato nuk u jepen të aftëve por militantëve, ndonëse shërbeva me meritë dhe me heroikë në forcat speciale nga viti 1992) por me katër by-pass-e, rrjedhojë e angazhimeve të pafundme stresuese e rraskapitëse, me një bilanc: një të rënë në detyrë e një të plagosur. Unë nuk mund të jem i qetë para padrejtësive të tilla se ndryshe mohoi gjakun e atyre që i mbajta mbi duar, që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë e më të shenjtë, jetën. Njollat e gjakut të atyre të rënëve janë në karriget e çdo pushtetari, ndaj t’i respektojnë. Sot bëj apel që mos të luaj kush me historinë e shkruar me gjak; shpreh habinë kujt i duhet ky deformim; pyes përse kjo fushatë përkujtimoresh që nuk ekzistojnë. E konsideroj ligësi dhe mohim të së vërtetës, por edhe mediokritet e paaftësi e drejtuesve më të lartë të dikasterit blu! Zoti Burgaj le të rilexojë fjalën e rastit (që lexoi) dhe të bëjë pak aritmetikë e pak llogari, kush ndodhi më parë, vrasja e dëshmorit Lulëzim Sulollari (më 22 shkurt 1991) apo krijimi i “RENEA”-s më 11 nëntor 1991?!. Absurditet e ligësi shqiptare që dëshmon edhe turp. Sa turp për një institucion dhe për shkrues të paaftë.
E vërteta zbulohet kur flasin ekspertët
Në vitet e tranzicionit kemi parë e lexuar shumë libra. Midis tyre ka vlera dhe antivlera, ka të vërteta dhe trillime, ka ekspertizë dhe amatorizëm, ka kulturë e mediokritet. Ajo që bie në sy në këtë “kreativitet në kaos” është fakti se pak shohim të shkruajnë ekspertët e fushave dhe akoma më pak dëshmitarët autentikë të ngjarjeve. Në rastin e autorit Hilë Lushaku kemi një seri botimesh në të cilat pleksen historia, ekspertiza, kultura dhe eksperienca. Kjo i bën librat e tij të jenë botime ku ndrin e vërteta. Tani lexuesi merr në dorë librin “Specialët-elita e Policisë Shqiptare”, një tjetër kontribut historiografik me vlerë në fushën e sigurisë, e konkretisht në lëmin e rendit publik, ku shërbeu në pjesën më të madhe të karrierës autori i tij, Hilë Lushaku, një ndër protagonistët kryesorë të forcave speciale. Struktura e librit, hartuar me kujdes nga autori, i ka dhënë mundësi atij të prodhojë një libër me përmbajtje të thellë e me gamë të gjerë, bazuar në hulumtimin e dokumenteve arkivore e të dhënave mediatike të kohës, plotësuar me të dhëna, informata, rrëfenja e kujtime të protagonistëve të forcave speciale. Libri ka një strukturë logjike e shkencore njëkohësisht. Në pjesën e parë të librit, autori shpreh synimin e tij, “Përse shkrova”, duke prezantuar me të drejtë shqetësimin e vet personal, kombëtar e qytetar gati në rebelim për deformimin e të vërtetave për forcat speciale shqiptare. Heqja e baltosjes me të drejtë ka qenë një ndër arsyet kryesore që e motivoi autorin të shkruajë këtë libër. Më pas libri “hyn” në rrjedhën e strukturuar për trajtim metodik tërësor të tematikës së hartuar, duke analizuar mjeshtërisht dhe në dinamikë procesin e formimit, evoluimit e të konsolidimit të forcave speciale në Policinë Shqiptare, kushtëzuar me gjendjen e mundësitë e mbrojtjes së vendit, me rrethanat e faktorët ideologjikë, politikë e gjeostrategjikë të sigurisë, me rreziqet që mund të sjellë terrorizmi, me gjendjen e mundësitë reale të
shërbimeve shqiptare të sigurisë e të ndikimeve të tyre në përmbushjen e misionit të Policisë, të cilat binden udhëheqjen komuniste shqiptare të nxjerrin aktin e krijimit të repartit special.
Në vijim, në “Pjesa e dytë”, autori pasqyron më tej problematikën, shoqëruar me prezantimin e dokumenteve origjinale, që provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se reparti special i Policisë e ka fillesën e tij në vitin 1981, ndërsa aktivitetin praktik e nisi në janar të vitit 1982, se ecuria e tij pati vijimisht një trajektore në rritje me përmirësim të dukshëm të strukturës, përbërjes, armatimeve e pajisjeve, programeve të stërvitjes, nivelit të drejtimit dhe padyshim rritjes cilësore të shërbimeve.
Argumentet e faktet që sjell autori, ndërthurur me analizën e tyre për ecurinë hap pas hapi të repartit, përveçse janë bindëse, janë edhe me shumë interes për stadet ku kaloi siguria publike në prag të tranzicionit shqiptar, madje aty prezantohen të dhëna të “nëndheshme” për gjendjen e kriminalitetit në vend. Vlen të evidentohet se këtu autori është objektiv e realist, nuk fsheh e as nuk lustron asgjë, por profesionalisht, si një studiues e historiografishkrues i mirëfilltë ka ditur të evidentojë të dhëna dokumentare thelbësore me vlera historike dhe më tej i ka mveshur e ilustruar ato me komente e vlerësime të tij e të protagonistëve të forcave speciale. Ky stil të shkruari e bën librin tërheqës në çdo pjesë e kapitull dhe njëkohësisht prezanton të vërteta që meritojnë t’u referohen shkruesit e studiuesit e historisë së Policisë së Shtetit dhe ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në libër, autori Lushaku, prezanton e analizon veçmas në çdo vit gjendjen e zhvillimet që kanë ndodhur në repart nga viti 1982 deri në vitin 1990, kur situata e rendit dhe e sigurisë në vend njohu zhvillime të paprovuara kurrë më parë gjatë 46 viteve të pasçlirimit nazifashist. Kapitulli që përmbledh zhvillimet e vitit 1991 është mjaft specifik për nga përmbajtja dhe rëndësia, madje mund të themi se është libër me vete, mbasi aty ndërthuren faktorë politikë, socialë, ekonomikë e psikologjikë, ndikime të brendshme dhe trysni politike e diplomatike ndërkombëtare, që sollën zhvillime shoqërore shpërthyese, të cilat vunë në provë shtetin komunist shqiptar tërësisht të atrofizuar dhe ndërkohë edhe repartin special të policisë.
Këtu, autori, ka prezantuar ngjarje të rënda në fushën e rendit, ndërkohë që anarkia kishte pllakosur jetën e vendit, ka shigjetuar me mprehtësi organet e drejtësisë e lojën e politikës miope përballë atij uragani të revoltës qytetare të mbarsur me urrejtje politike e mjerim ekonomik, ka ndriçuar në mënyrë transparente shtetin e fasadës cipëplasur komuniste ku dogmat për “edukimin e njeriut të ri”, për “kalanë e kuqe buzë Adriatikut”, “për fanarin ndriçues të Evropës”, e për plot manipulime të tjera u shkrinë si kripa në ujë. Mjeshtëria e autorit këtu është shumë e arrirë. Ajo vë në fokus të analizës gjithë faktorët dhe zhvillimet e reja në të gjitha fushat dhe njëkohësisht duke nxjerrë në pah dukshëm vendin e rolin e sambistëve, cilësitë e tyre, profesionalizmin dhe aktivizimin rraskapitës në shërbime. Autori më ftohtësi ndriçon ndërkohë me realizëm edhe pjesët e errëta të veprimeve të tyre, çoroditjen e shtetit dhe luftën e ashpër politike, lëvizjen studentore e sindikaliste si dhe përballjet e repartit special për herë të parë me ballafaqime publike Lushaku, me ngjyra shumë realiste, na jep kaosin e shërbimeve të sigurisë në një anë, dhe nga ana tjetër zhvillimin e pakontrolluar të kriminalitetit të shumëllojtë.
* Pjesë nga parathënia e librit
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
