Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me politikën e qeverisë serbe ndaj dialogut me e Kosovën dhe bashkëpunimin me Ukrainën, tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Në intervistë ai foli edhe për zhvillimet në Serbi dhe zgjedhjet lokale të 2 qershorit, të cilat sipas tij, rrodhën më mirë sesa zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar. Intervista e mëposhtme është shkurtuar dhe redaktuar për qartësi. Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e fundit në Serbi u përshkuan, sipas vëzhguesve, nga anshmëria e medias, trysnia mbi votuesit, blerja e votës. Ambasada juaj i ka vëzhguesit e saj. Cilat ishin përfundimet e tyre dhe cili është mendimi juaj për zgjedhjet lokale? Christopher Hill: Ndjenja e përgjithshme është se disa probleme kanë mbetur por përgjithësisht kishte përpjekje më të mira sesa në muajin dhjetor. Ka një numër reformash e ndryshimesh që duhet të ndodhin, jo vetëm tani, por përgjatë viteve para zgjedhjeve të ardhshme. Në veçanti disa çështje si qasja në media, duhet të zgjidhen. Ka pasur disa përmirësime. Zgjedhjet janë sprovë për demokracinë dhe shpresoj që njerëzit të bëhen bashkë dhe të vazhdojnë punët e rëndësishme për vendin. Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Beogradit që të zbatojë rekomandimet e ODIHR-it, por kjo nuk ka ndodhur. Dikush do thoshte se Uashingtoni po i mbyllë sytë rreth demokracisë në Serbi duke ndjekur interesin e tij. Si do të përgjigjeshit? Christopher Hill: Nuk e di se kush do të mund ta thoshte këtë… Zëri i Amerikës: Kritikët? Christopher Hill: Oh ka shumë kritikues dhe gjithmonë do të ketë, por të jesh kritik nuk do të thotë që ke të drejtë. Ne kemi punuar që të sigurohemi që sa më shumë rekomandime të zbatohen me kohë, para zgjedhjeve të qershorit. Por sikundër sapo e thashë, ndryshimet, reformat marrin kohë. Si mund të shihni nga afër listat e votuesve pa shkelur të dhënat personale. Këto nuk janë çështje që zgjidhen brenda javësh. Mendoj që ishte e shëndetshme dhe e dobishme që pati takime mes opozitës dhe partisë në pushtet. Mendoj se duhet të vlerësojmë përpjekjet e kryetares së parlamentit Ana Bërnabiç, e cila i bëri njerëzit bashkë. Nuk është punë e lehtë, meqë zgjedhjet nuk e nxjerrin pjesën më të mirë të njerëzve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb