Ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, po jep sot dëshmi para anëtarëve të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, si pjesë e hetimit mbi aktivitetet kriminale të Jeffrey Epstein.
Clinton publikoi pak çaste më parë një deklaratë hapëse në rrjetet sociale, ku mohon çdo dijeni për aktivitetet kriminale të Epstein dhe Ghislaine Maxwell. Ajo gjithashtu sfidon Komitetin që të drejtojë pyetje të drejtpërdrejta ndaj Presidentit Donald Trump, në vend që të mbështetet në mediat për përgjigje.
“Nëse ky Komitet është serioz për të mësuar të vërtetën për krimet e trafikimit të Epstein, ai nuk do të mbështetej në shtyp për të marrë përgjigje nga presidenti ynë aktual; do ta pyeste atë drejtpërdrejt nën betim për dhjetëra mijëra herë që shfaqet në dosjet e Epstein,” tha Clinton.
Clinton thekson se nuk ka asnjë informacion që lidhet me hetimet për aktivitetet kriminale të Epstein dhe Maxwell, nuk ka njohuri për aktivitetet kriminale të tyre, nuk e ka takuar kurrë Epstein dhe se nuk ka fluturuar me avionin e tij, as vizituar ishullin, shtëpitë ose zyrat e tij.
“Siç e thashë në deklaratën time të betimit më 13 janar, nuk e kisha idenë për aktivitetet e tyre kriminale. Nuk mbaj mend të kem takuar ndonjëherë zotin Epstein. Nuk kam asgjë për t’i shtuar kësaj,” thekson Clinton.
Dëshmia e Clinton vjen ndërsa hetimet për Epstein dhe rrjetin e tij të trafikimit seksual vijojnë të jenë në fokus të mediave dhe ligjvënësve amerikanë. Deri më tani, asnjë dokument apo referencë që lidhet me Clinton nuk sugjeron përfshirje të saj në aktivitetet e krimit të organizuar të Epstein.
