Pas denoncimeve të vazhdueshme për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në Spitalin Onkologjik, në adresë të Gazetarit Osman Stafa ka mbërritur një mesazh kërcënues, me qëllim intimidimin, frikësimin dhe tërheqjen e tij nga investigimet në këtë spital. Përmes një adrese anonime në rrjetet sociale, gazetarit Stafa i kërkuar me një gjuhë banale, fyese dhe kërcënuese të mos paraqitet më në ambientet e Onkologjikut dhe të heqë dorë nga denoncimet mbi korrupsionin dhe abuzimet mbi pacientët.

Pas marrjes së mesazhit, gazetari i News24, Stafa i është drejtuar Policisë së Shtetit, ku ka bërë kallëzim penal, për kërcënim për shkak të detyrës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar personin përgjegjës dhe se kush fshihet pas këtij kërcënimi. I ndodhur përballë presioneve dhe kërcënimeve, gazetari Osman Stafa, siguron se do të vijojë denoncimet e tij për situatën në Spitalin Onkologjik. Duke theksuar se nuk i frikësohet asnjë lloj kërcënimi ai shprehet i vendosur për të hedhur dritë dhe për t’i dhënë fund abuzimeve që u kushtojnë jetën pacientëve të prekur nga sëmundjet tumorale.

Prej disa vitesh gazetari Stafa ka investiguar dhe më pas ka denoncuar publikisht situatën e vështirë me të cilën përballen pacientët në Spitalin Onkologjik. Ndër denoncimet më të forta janë: Mungesa e brakiterapisë, një trajtim për gratë që vuajnë nga kanceri gjinekologjik; mungesa e pet-scanit, një diagnostikim tjetër mjaft i rëndësishëm për pacientët e Onkologjikut; mungesën e ilaçeve kimio për pacientët, si dhe ka evidentuar rastet e korrupsionit dhe abuzimit mbi pacientët nga bluzat e bardha, siç është rasti i trafikimit të biopsive nga publiku drejt privatit etj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb