Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim me demokratët në Kurbin, ku është ndalur te çështja e koalicioneve politike dhe roli i tyre në zgjedhje.
Gjatë diskutimit, një prej pjesëmarrësve i ngriti Berishës shqetësimin se pse duhet të votohet për parti të vogla në koalicion, duke theksuar se, sipas tij, këto parti “i marrin vota PD-së” dhe më pas dalin kundër saj në Parlament.
Në përgjigje, Berisha theksoi se koalicionet janë të nevojshme në çdo kohë, duke i cilësuar ato si një garanci për të shmangur përqendrimin e gjithë pushteteve në një parti apo në një individ të vetëm. Ai shtoi se, pavarësisht kësaj, në kushtet aktuale politike koalicionet janë edhe më të domosdoshme.
“Në kushtet e një diktature autoritare që shtyp pluralizmin dhe nuk zhvillon zgjedhje, por farsë elektorale, opozita nuk ka rrugë tjetër veç protestës dhe revoltës. Në këto kushte, koalicionet janë shumë të nevojshme dhe sa më i gjerë e më i fuqishëm koalicioni, aq më e afërt është fitorja”, u shpreh Berisha.
