Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi duhet të paditet në Prokurori duke i cilësuar shpifje akuzat për rindërtimin e shkollës “Sami Frashëri”.

Gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Njësisë 9, Veliaj tha se fëmijët e tyre i çojnë me studime jashtë vendit, kurse për fëmijët që studiojnë në Shqipëri, jo vetëm që nuk bënë asnjë shkollë kur drejtonin qytetin, por dalin edhe kundër shkollave të reja.

“Fëmijët e tyre i kanë në Angli dhe Hollandë. Për çfarë iu duhen shkollat këtyre?! Ngritën gjithë atë histeri për shkollën ‘Sami Frashëri’! Monika duhet çuar në Prokurori për shpifje. ‘Do e ndërtojnë në Paskuqan’ – tha, por Paskuqani është në bashkinë tjetër. Mirë që s’dinë të punojnë, mirë që janë të paaftë, që s’kanë bërë një shkollë në Tiranë edhe kur e qeverisnin bashkë. Kam kaq kohë që i sfidoj: Më thoni një shkollë që keni ndërtuar, por nuk kanë bërë asnjë”, u shpreh Veliaj.

Sipas tij, vërtet s’kanë ndërtuar shkolla, por ama në kohë pandemie i shtuan vilat e tyre.
“Falë punës tonë, dhe jo gjumit, edhe vilave të tyre iu është rritur vlera, se Tirana tani është e pastër, e investuar dhe e rregullt”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb