Gazetari Artan Hoxha ka hedhur akuza të forta mbi mënyrën e funksionimit të shtetit dhe nivelin e korrupsionit, duke u ndalur te veprimtaria e SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Hoxha e nisi fjalën me një batutë, duke thënë se “historia e Ballukut nisi me një Lot dhe më pas lotët u bënë rrëke”, ndërsa theksoi se përmasat e abuzimeve dhe korrupsionit kanë kaluar çdo imagjinatë.

“Sikur e dinim, sikur e kishim thënë, por nuk e kishim menduar kurrë se do veprohej në këtë formë. Duket sikur kemi pasur një qeveri që punonte në grupe mesazhesh. Një shtet nuk mund të funksionojë kështu. Kjo nuk ndodh as në universitet, jo më në ministrinë më të rëndësishme që menaxhon pjesën dërrmuese të buxhetit të shtetit, me një ministre që ishte edhe zv/kryeministre,” u shpreh Hoxha.

Sipas tij, gjithçka nis nga telefoni i Evis Berberit, ish-kreut të ARRSH-së, duke e cilësuar atë si pikën zero të zbardhjes së skemës. Gazetari tha se ajo që të trondit më shumë është mënyra se si ka funksionuar shteti, duke u shtrirë nga bota e krimit deri te mediat.

“Është një mënyrë kaq kapilare, një industri kaq kirurgjikale, sa duket e frikshme që të ketë ndodhur vërtet. Kjo shpjegon pse, sa më shumë skandale shpërthenin, aq më shumë thellohej pushteti i PS-së. Normalisht skandalet konsumojnë pushtetin, ndërsa tek ne ndodhte e kundërta,” tha Hoxha.

Në përfundim, ai paralajmëroi se ajo që është zbuluar deri tani përbën vetëm një pjesë shumë të vogël të problemit. “Jemi ende në një të tetën e gjithë asaj që ka ndodhur. Jemi te maja e ajsbergut dhe nuk dimë çfarë fshihet poshtë. Me këto përmasa, është vërtet e frikshme,” përfundoi Artan Hoxha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb