Pas deklaratës së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila më herët foli për herë të parë për akuzat e SPAK teksa dorëzonte detyrën te ministri i ri i Infrastrukturës dhe Energjisë, reagime kanë ardhur edhe nga opozita.

I ftuar në studion e News24, deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi kritikoi deklaratat e Ballukut, duke thënë se zyrtarët e qeverisë përpiqen të justifikojnë veten edhe kur, sipas tij, aferat korruptive janë bërë publike.

“Sot pamë edhe një herë që këta nuk janë socialistë, por specialistë. Edhe kur janë vërtetuar aferat korruptive, prapë këta specialistë e gjejnë forcën të gënjejnë publikisht në këtë mënyrë dhe në këtë nivel”, u shpreh Këlliçi.

Sipas deputetit demokrat, në vend që të merrte përgjegjësi morale dhe ligjore, Balluku zgjodhi të mbajë qëndrime publike për ligjin dhe shtetin, gjë që ai e cilësoi të papranueshme.

“Në vend që të merrte përgjegjësinë morale dhe ligjore, është e turpshme të shohim një zyrtar të akuzuar të mbajë moral për ligjin dhe shtetin”, deklaroi ai.

Këlliçi shtoi se, sipas tij, karakteri i vërtetë i zyrtarëve të përfshirë në çështje të tilla është shfaqur edhe në përgjimet e bëra publike gjatë hetimeve.

“Ne i dimë të gjithë historitë me të fortët që kanë tentuar të kërcënojnë prokurorët dhe dëshmitarët e ndershëm”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet e ardhshme politike, deputeti demokrat u shpreh se kryeministri Edi Rama do të mbrojë Ballukun në seancën e ardhshme parlamentare më 12 mars, ndërsa sipas tij mazhoranca do të përpiqet të fajësojë opozitën për situatën e krijuar.

“Rama është i destinuar të bjerë me Ballukun. Historia politike e saj është kapitull i mbyllur dhe karrierë e mbyllur në mënyrën më të keqe të mundshme. Tani është në lojë historia e saj penale dhe juridike”, deklaroi Këlliçi.

Ai shtoi se Balluku ka të drejtë të mbrojë veten në procesin ligjor, por sipas tij karriera e saj politike tashmë ka marrë fund. Këlliçi u shpreh gjithashtu se zhvillimet e fundit mund të ndikojnë edhe në të ardhmen politike të kryeministrit Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb