TIRANË- Një histori e pazakontë vjen sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetare Evis Ahmeti në News24. Historia e një nëne që me lot në sy kërkon që nusja e djalit të kthehet për të marrë nipin 6 vjeç që e ka braktisur për të shkuar me të dashurin 18-vjeçar.

Personazhi kryesor i kësaj historie gati si telenovelë është Xhuljana. Ajo ishte 16 vjeç kur vendosi të martohej në qytetin e Vlorës me Ernesto Zeqon. Xhuljana, nënë e tre fëmijëve, sot është larguar nga familja Zeqo dhe ka braktisur djalin e saj të madh. Ish-vjehrra, Hëna Zeqo, rrëfen në emisionin “Me zemër të hapur” kalvarin e vuajtjeve te saj. Momentalisht djali i vetëm Ernesto ndodhet në burg, pasi nusja para se ta braktiste e ka denoncuar për dhunë në familje.

E moshuara tregon se çifti shkonte shumë mirë vitet e para të martesës dhe sollën në jetë djalin e parë Robertin që aktualisht është 6 vjeç, më pas vajzën Klea që është 4 vjeç.

Për të patur një jetë më të mirë, ata emigrojnë drejt Gjermanisë me dy fëmijët. Qëndrojnë dy vite dhe pas 6 muajve vendosin të rikthehen në Vlorë, ndërkohë që Xhuljana priste të sillte në jetë fëmijën e tretë.

Mes çiftit nisin konfliktet derisa një dite Xhuljana e denoncon Erneston për dhunë, i cili arrestohet nga uniformat blu dhe ka marrë dënimin me 2 vite e 6 muaj heqje lirie.

Xhuljana vazhdon të qëndrojë edhe disa kohë në shtëpinë e vjehrrës, deri sa lind djali Eljoni dhe më pas kjo nënë merr vajzën Klean dhe foshnjën dhe largohet me një djalë 18-vjeçar. Ky i fundit pretendon se është babai i fëmijës së sapo lindur. Xhuljana 24-vjeçare braktis djalin e madh të saj Roberton, i cili po rritet me gjyshen e tij dhe çdo ditë kërkon motrën, nënën, por nena është zhdukur, duke mos lënë asnjë gjurmë për të birin.

Gruaja thotë se djali i saj ka probleme të shëndetit mendor dhe se që ditën e martesës ka shfaqur shenja të depresionit. Por se ai nuk e ka dhunuar Xhuljanën, pasi sipas saj i ka dhënë vetëm një pëllëmbë. “Djali një pëllëmbë i dha, se është i sëmurë. Që ditën e martesës pati një gjendje depresive, tani është bërë 30 kile në burg nga 80 që ishte”, thotë ajo.

Ish-vjehrra, nuk kërkon që nusja të kthehet dhe të vijojnë martesën me të birin, por kërkon që ajo t’i kthejë vajzën e vogël, pasi e kërkon nipi. E moshuara thotë se i dashuri i saj 18 vjeç nuk është në gjendje të kujdeset për vajzën, ndaj i kërkon ta kthejë që të kujdeset vetë për nipërit.

“Djalin nuk ja jap, nuk bëhet llaf. Ose të dal nga dera juaj dhe të bëj aksident vetë. Mua të më dorëzojë çupën Xhuli, këtë dua”, thotë ish-vjehrra me lot në sy, ndërsa përsërit disa herë se ka dashur nusen e djalit si vajzë.

Ajo shprehet e bindur se Xhuljana e ka nisur historinë e saj të dashurisë që në Gjermani.
Në emision ka ndërhyrë edhe babai i Xhuljanës, Kastrioti i cili është shprehur kundër veprimeve të saj.

“Më thoshte mua që është pak me probleme për Erneston. Nuk e kam ditur për fëmijën e tretë, sot po e dëgjoj për herë të parë që nuk e ka me Erneston. Ka nja 20 ditë që e kam mësuar se Xhuljana ka ikur nga shtëpia për të jetuar me një 18-vjeçar. Ajo ka zgjedhur rrugën e saj, çfarë të bëj. Unë i kam dhënë atë që ka dashur vajza. Nuk jam dakord që të iki me tjetër. Jam dakord që vajza e vogël të kthehet pranë djalit. I dënoj veprimet e Xhuljanës. I bëj apel të rikthehet pranë familjes së saj, të shohë burrin dhe fëmijët”, tha babai i 24-vjeçares.

Ndërsa vjehrra, Hëna ka këmbëngulur që ish-nusja t’i kthejë vajzën, Amelian, pasi thekson se do t’u përgjigjet për gjithçka të dy fëmijëve.

“Vetëm të më japë vajzën se do e dua dhe më shumë. Do shkoj në Burrel bashkë me dy fëmijët ta shikoj. Për fëmijët deri sa të bëhen 18 vjeç do kujdesem unë, jam unë. I përballoj fëmijët. Do ju lë gjendje të madhe. Kam motra, kam nipër e mbesa, do i shikoj unë. E hedh unë firmën. Më nxirrni djalin të mbledhë ata dy fëmijë se është i dënuar pa fakte dhe për fëmijët kujdesem vetë”, tha ajo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: