Një gjerman i lindur në Mynih dhe i rritur në Berlin vjen në Shqipëri në moshën 60-vjeçare, në vitin 2022 të kërkojë babain e tij shqiptar.

Aktori Klark Morina e mësoi rastin ndërsa ishte në SHBA me xhirime. Në SHBA ai u njoh me Tasim Rukon, që do t’i tregonte historinë e arratisjes së gjyshit të tij nga Shqipëria më 1945 duke lënë pas një vajzë 2-vjeçe, nënën e Tasim Rukos.

“Unë u njoha me historinë ndërsa isha në SHBA. Në fillim kur ma tha Tasim Ruko nuk e besoja, se si një gjerman vjen të kërkojë babain e tij shqiptar dhe mëson se ka një motër. Më pas ai më tregoi historinë e arratisjes së gjyshit të tij, jetën e tij mes SHBA-së dhe Gjermanisë dhe djalin e tij gjerman që tashmë ka zbuluar familjen e tij shqiptare”, thotë ai në një intervistë për “News 24” me gazetaren Fatmira Nikolli.

Ndërsa ndalet te historitë e shumë familjeve që kanë pasur fate të trishta gjatë regjimit komunist, aktori i ri, ka një mesazh për moshatarët e tij që të jenë të lidhur me familjet e tyre. “Mesazhi im është që të jenë sa më afër familjeve sa kohë i kanë. Do të vijë një ditë që do të jetë tepër vonë”, thotë Klark Morina.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: