Aksidenti i rëndë rrugor i cili i mori jetën 24-vjeçarit Gabriel Lluca në orët e para të mëngjesit të sotëm ndodhi pranë shtëpisë së gjyshes së tij nga babai, aty ku Gabriel kishte kaluar fëmijërinë, por që sot u bë vendi i tragjedisë.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti me të cilin udhëtonte Gabriel Lluca, së bashku me mikun e tij Denis Korbi, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shkallët e një banese. Përplasja ka qenë fatale për të dy pasagjerët, të cilët kanë ndërruar jetë në vend, pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të emergjencës për t’i ndihmuar.

Dhimbja bëhet edhe më e madhe kur kujtohet se Gabriel Lluca i kishte mbijetuar një aksident të rëndë në moshën 8-vjeçare, kur një makinë e kishte përplasur para derës së shkollës. Atëherë, mrekullisht, ai kishte shpëtuar, edhe pse automjeti i kishte kaluar mbi trup.

Historia e tij e mbijetesës kishte emocionuar gjithë Peqinin , duke e parë si një fëmijë me fat.

Por fati nuk tregoi mëshirë këtë herë. Gabriel Lluca u nda nga jeta pranë derës së shtëpisë ku ishte rritur, duke lënë pas një dhimbje  të madhe në zemrat e familjarëve, miqve dhe gjithë atyre që e njohën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb