Kardinali Robert Francis Prevost, i njohur tani si Papa Leon (Leo) XIV, është papa i parë nga Shtetet e Bashkuara.

Misionari amerikan e ka kaluar jetën e tij në Peru.

Zgjedhja e tij përfaqëson vazhdimësinë e papatit të Papa Françeskut dhe pritet që ai të vazhdojë reformat e kishës nga ana e Françeskut, si dhe përqendrimin e tij te varfëria dhe grupet e margjinalizuara.

Ati Robert Sirico është shprehur për Sky News: “Është mrekulli të kemi një amerikan”.

Prifti, i cili gjithashtu është amerikan dhe drejtues i Acton Institute, shton se kardinali Robert Francis Prevost ishte “shumë ndërkombëtar”.

Ai ishte një misionar dhe anëtar i një urdhri religjioz, ndaj kjo është domethënëse, tani kemi pasur dy papë radhazi që janë anëtarë të urdhrave religjiozë, ndryshe nga priftërinjtë e dioqezave. Di se ai flet rrjedhshëm pesë ose gjashtë gjuhë të huaja dhe së fundmi ka shërbyer në Kongregacionin e Peshkopëve.

I pyetur rreth emrit Leon, i cili është përdorur më së fundmi nga Papa Leoni XIII në vitin 1878, prifti thotë se është “domethënës”.

Ai ishte vërtet një teolog, një mendimtar që predikonte për rëndësinë e familjes dhe dinjitetin e punës, një figurë shumë domethënëse historike. Qëllimi i Papa Leonit tani është që ta vazhdojë atë punë dhe më pas na jep neve një tregues të drejtimit të tij.

Papa i ri është i 267-ti në histori dhe u zgjodh në raundin e katërt të ditës së dytë të konklavës së Vatikanit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb