Nga: Fatmir POPJA

ELBASAN- Kryebashkiaku aktual i Elbasanit, Qazim Sejdini është një prej atyre udhëheqësve lokalë të 110 viteve qeverisje të qytetit të Elbasanit që është në vitin e tretë të mandatit të tretë të drejtimit të një prej bashkive më të rëndësishme të Shqipërisë. 67-vjeçari Sejdini është një ndër më të spikaturit ndër dhjetra kryebashkiakët që e kanë drejtuar këtë qytet që nga viti 1908 kohë kur Emin Haxhiademi merrte frenat e drejtimit të kryeqendrës së Shqipërisë së Mesme për tu pasuar nga figura të tjera të rëndësishme si Fuat Biçaku, Kasem Sejdini, Lef Nosi, Hasan Biçaku, Ahmet Dakli e të tjerë.

Institucioni i Bashkisë së Elbasanit nga 1908 vijoi deri në 1943 kur u “shpërbë” për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas gjatë sundimit komunist nuk u rijetëzua dot më, për të rinisur në Epokën e Demokracisë me nipin e kryebashkiakut të parë të Elbasanit, Emin Haxhiademi (junior).

Pas tij elbasanasit zgjodhën inxhinierin Engjëll Dakli si kryebashkiak, i cili e drejtoi Bashkinë e Elbasanit në periudhën 1996 – 2000. Edhe Dakli mbetet një emër i përsëritur, si nipi i Ahmet Daklit, që ka qeverisur përgjatë viteve 1916 – 1917 dhe 1937 – 1939. Engjëll Dakli, si i dyti demokrat i pushtetit vendor në Elbasan, do të pasohej nga i pari socialist, Hysen Domi gjatë periudhës, 2000 – 2003.

Katër vjet më pas elbasanasit zgjodhën Ardian Turkun, përfaqësues të PD-së, një intelektual me vlera përtej këtij qyteti, i cili garoi për herë të dytë në këtë post nga i njëjti subjekt politik në zgjedhjet e 21 qershorit të vitit 2015. Por, më jetëgjati mbetet Qazim Sejdini, një figurë sa karizmatike aq dhe popullore, që drejton këtë qytet për tri mandate, i propozuar nga socialistët. Por ndërsa 67-vjeçari Sejdini është në mbyllje të vitit të fundit të mandatit të tretë, ai mbetet një kandidat potencial për në zgjedhjet e radhës për kreun e bashkisë së Elbasanit. Ndërsa PS prej kohësh po kërkon të gjejë një pasardhës dinjitoz të Sejdinit ai vijon të ketë mbështetjen e elbasanasve, të cilët e vlerësojnë për punën e bërë gjatë tri mandateve në krye të bashkisë së Elbasanit.

Gjithsesi nuk mungojnë as kritikët e tij pasi qyteti ka ende probleme serioze në shumë aspekte. Ndërkohë Sejdini është futur në historinë e qeverisjes së Elbasanit si kryebashkiaku më jetëgjatë dhe vlerësime e kritika për të do ketë. Ndërsa përsa i takon të ardhmes, Sejdini e ka deklaruar që ai misionin e tij si kryebashkiak gjykon se po e mbyll me sukses dhe se për këtë është krenar pa gjithkujt edhe pse shumica e elbasanasve I kanë kërkuar që ai të rikandidojë sërish për një mandate tjetër pasi do ketë mbështetjen etyre.Nëse Sejdini do rikandodojë apo jo kjo mbetet për tu parë në të ardhmen.

KRYEBASHKIAKËT NDËR VITE

Emin Haxhiademi- 1908

Alush Saraçi 1912–1913

Fuat Biçaku 1913–1915

Hysen Hostopalli 1915-1916

Xhaferr Dardha (s’ka vit të datuar)

Tajar Tetova (s’ka vit të datuar)

Kasem Sejdini 1919 – 1924

Lef Nosi 1924 – 1925

Benexhet Hydi (s’ka vit të datuar)

Nazef Basha 1928 – 1929

Rustem Ymeri 1929 – 1930

Abdyl Dilaveri 1930 – 1933

Hasan Biçaku 1933 – 1934

Ahmet Dakli 1916 – 1917 dhe 1937 – 1939

Qemal Karosmani 1939

Ymer Saraçi 1939 – 1942

Refik Bekteshi 1942 – 1943

Pushteti komunist 1944 – 1990

Emin Haxhiademi 1992 – 1995

Engjëll Dakli 1996 – 2000

Hysen Domi 2000 – 2003

Ardian Turku 2003 – 2007

Qazim Sejdini 2007 – vazhdim

(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: