Historiani Erald Kapri ka marrë pjesë në aktivitetin për hapjen e dosjes së Sigurimit të shtetit për shkrimtarin Martin Camaj, e organizuar në Pallatin e Brigadave në 95 vjetorin e lindjes së tij.

I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë edhe kryeministri Rama, i cili është ironizuar nga Kapri, për shkak të deklaratave të tij në Parlament.

Kapri tha se Ramës i njihen atributet për sjelljen e eshtrave të Mit’hat Frashërit, por nga ana tjetër në Parlament thotë se komunistët ishin në anën e duhur të historisë.

“Dëgjova kryeministrin dhe bie dakort me fjalën e tij, por edhe vetë kryeministri bëhet një nga ata personazhe që e nxit hedhjen e baltës pasi e përdor mjaft mirë kontekstin historik. Kryeministri i njihet artributi për sjelljen e eshtrave të Mithat Frashërit, por në parlament thotë që komunistët ishin në anën e duhur të historisë. Kjo është ajo shmangja e kontekstit historik që mund ta përdorësh si të vijë dhe nuk është mirë”, tha Kapri duke thumbuar Ramën.

Ndërkohë për sa i përket çështjes së Martin Camajt, historiani tha se në asnjë dokument nuk shfaqet emri i tij si bashkëpunues i organizatave të tjera kundër Shqipërisë.

“Në debatin që u përfshi për jetën e tij patën dy elementë që munguan dhe u ndjeva i detyruar të merrja pjesë, pasi në histori është e rëndësishme analizimi metodologjik i çfarëdolloj dokumenti që përdoret. Në debatin e nisur për këtë kjo gjë mungoi dhe doja të qartësoja këto elemente.

Si një i apasionuar i këtyre çështjeve dhe si njohës i Luftës së Fohtë mund të them me bindje se Martin Camaj në të gjitha dokumentet nuk është aspak një agjent dhe nuk mund të aludohet diçka e tillë. Ai u largua kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e vet.

Prishja e marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi krijoi një realitet të ri dhe mijëra shqiptarë u përfshinë në disa lëvizje politike të koordinuara me shërbimet perëndimore. Në maj të 1951 u krijuar komuniteti i Prizrenit, ku qartësisht Martin Camaj nuk ndodhej atje por në Beograd.

CIA ka vite që ka nisur deklasifikimin e dosjeve të saj, të cilët pasi analizojnë i hedhin online në mënyrë që studiuesit t’i përdorin për studime, por duhet të merren jo 100% për bazë nga studiuesit. Ka një keqpërkthim në dokument ku thuhet se Camaj është një anëtar ekzekutiv, por emri i tij nuk është në këtë dokument.

CIA paralajmëron studiuesit që ai dokument nuk ka verifikime dhe është marrë shabllon. Martin Camaj nuk është pjesë e shërbimeve, qoftë edhe atyre perëndimore. Dua të theksoj se jeta e tij është tipike e një studiuesi dhe një shkrimtari që u gjet në vendin e gabuar dhje në kohën e gabuar por dokumentat tregojnë që ai nuk është përfshirë në asnjë lloj aktiviteti kundër Shqipërisë”, tha historiani Erald Kapri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb