Tiranë, 18.12.2025 – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) dhe Air Transat kanë kënaqësinë të njoftojnë hapjen e linjës së parë direkte pa ndalesë midis Tiranës dhe Torontos, duke shënuar një moment historik për aviacionin shqiptar. Ky shërbim shënon fluturimin e parë transoqeanik nga TIA dhe lidhjen e parë ajrore direkte midis Shqipërisë dhe rajonit të Atlantikut të Veriut.

Fluturimi inaugurues nga TIA do të realizohet më 19 qershor 2026, në orën 15:00, ndërkohë që fluturimi i parë nga Toronto është parashikuar në 18 qershor 2026, në orën 22:00. Avioni që do të operojë këtë linjë do të jetë një Airbus A330-200, me një kapacitet prej rreth 350 vendesh. Fluturimet do të vijojnë gjatë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.

B00f083a C6a0 47ea 9f76 6b68434c4c32
B00f083a C6a0 47ea 9f76 6b68434c4c32

Linja e re ajrore i përgjigjet kërkesave në rritje për fluturime direkte jo vetëm mes Shqipërisë, por edhe vendeve të rajonit dhe Kanadasë. Vlerësohet se rreth 60 mijë pasagjerë në vit lëvizin në këtë drejtim, kryesisht për turizëm, vizita familjare dhe për nevojat e komuniteteve të diasporës.

Në Kanada jeton një komunitet i gjerë i diasporës shqiptare dhe asaj rajonale, të cilët prej vitesh kanë pasur nevojë për një lidhje ajrore direkte me Shqipërinë. Fluturimi Tiranë–Toronto e thjeshton ndjeshëm udhëtimin, duke e bërë atë më të shpejtë dhe më praktik për pasagjerët.

Kjo linjë gjithashtu pritet të ndikojë pozitivisht për zhvillimin e turizmit, aktivitetin e biznesit dhe në shkëmbimet kulturore, ndërsa Tirana forcon më tej rolin e saj si një pikë lidhëse ajrore për rajonin.
Hapja e këtij destinacioni është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe efektiv ndërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës dhe Air Transat, duke reflektuar një angazhim të përbashkët për zgjerimin e lidhjeve ajrore dhe përgjigjen ndaj kërkesës së tregut me shërbime ajrore cilësore dhe të besueshme. Angazhimi i Qeverisë Shqiptare dhe koordinimi i ngushtë i autoriteteve shtetërore ishte vendimtar në finalizimin e marrëveshjes së lidhjes ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë në një kohë rekord.

Hapja e linjës Tiranë–Toronto është bërë e mundur edhe falë investimeve të vazhdueshme të Grupit Kastrati në modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, të cilat kanë siguruar kapacitetet infrastrukturore dhe operacionale të nevojshme për këtë destinacion ndërkontinental.

Drejtori i Operacioneve i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, z. Piervittorio Farabbi, u shpreh:
“Hapja e linjës Tiranë–Toronto me Air Transat është një arritje madhore për TIA-n dhe për Shqipërinë. Ky është shërbimi ynë i parë transoqeanik dhe lidhja jonë e parë direkte me Atlantikun e Veriut. Ne përgëzojmë Air Transat për besimin dhe falënderojmë të gjitha ekipet dhe palët e përfshira për bashkëpunimin e shkëlqyer. Së bashku, po hapim horizonte të reja për pasagjerët, turizmin dhe lidhjet ekonomike ndërmjet Shqipërisë, rajonit dhe Kanadasë.”

  • foto galeri

“Jemi krenarë që bëhemi linja ajrore e parë që ofron shërbim direkt pa ndalesë midis Amerikës së Veriut dhe Shqipërisë,” tha Sebastian Ponce, Drejtor i të Ardhurave në Transat. “Kjo linjë do të mbështesë rritjen e turizmit në Shqipëri dhe Ballkan, ndërsa do t’u ofrojë pasagjerëve në rajon akses të lehtë drejt Kanadasë dhe lidhje të mëtejshme në të gjithë Amerikën e Veriut përmes rrjetit tonë dhe partneritetit me Porter Airlines.”

5e81f12a C220 4585 A08c 6143a8939fca
5e81f12a C220 4585 A08c 6143a8939fca

Linja Tiranë–Toronto forcon më tej rrjetin në zgjerim të TIA-s dhe nënvizon fokusin strategjik të aeroportit në rritjen afatgjatë, përmirësimin e lidhshmërisë dhe zhvillimin e Tiranës si një nyje kyçe e aviacionit për rajonin.

Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është porta kryesore ajrore e Shqipërisë, duke shërbyer si një motor kyç për turizmin, zhvillimin ekonomik dhe lidhjen ndërkombëtare.

I vlerësuar si aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë, aeroporti mban lidershipin në rajonin e Ballkanit Perëndimor për nga lidhshmëria, numri i pasagjerëve dhe investimet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb