Policia në Tiranë ka arrestuar një protestues dhe ka proceduar penalisht tre të tjerë. Ata akuzohen se kanë hedhur molotov dhe lëndë të tjera shpërthyese gjatë protestës përpara Bashkisë.

Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se në pranga ka rënë 38-vjeçari Elton Vokrri, i cili u ndalua edhe më 16 maj në lidhje me protestën e 14 majit.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 21.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:

– E. V., 38 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”. Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 16 maj, në lidhje me protestën e datës 14 maj 2024.

Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë shtetasit K. B., 21 vjeç, S. J., 41 vjeçe, të dy banues në Tiranë, dhe S. B., 49 vjeç, banues në Krujë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb