Një operacion antidrogë është finalizuar mbrëmjen e djeshme në Devoll, ku dy të rinj kanë përfunduar në pranga, pasi dyshohet se po transportonin lëndë narkotike.

Burime nga policia bëjnë me dije se në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar H.C., 28 vjeç dhe Sh.D., 27 vjeç. Ngjarja është regjistruar në një rrugë dytësore që lidh një fshat me aksin rrugor Korçë-Bilisht. Të rinjtë po udhëtonin me një automjet, me H.C. në drejtim të tij dhe Sh.D. në sediljen e pasagjerit, raporton gazetarja Lorena Kodra.

Sipas të dhënave nga policia, pak para se të ndaloheshin, nga automjeti është hedhur një qese me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Kontrolli ka vijuar edhe në banesat e të rinjve, ku në banesën e 28-vjeçarit H.C., janë gjetur fara të dyshuara të bimës narkotike.

Dy të rinjtë akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Ndërkohë vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Njoftimi i policisë

Korçë/Finalizohet pas 2 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Befasia 2”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Sekuestrohen fara dhe sasi lënde të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetasit që e posedoin me qëllim shitjen.

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 2 muajve, për goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme  “Shqiponja”, të DVP Korçë, finalizuan operacionin e koduar “Befasia 2”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit H. C., 28 vjeç, banues në fshatin Bilisht  dhe Sh. D., 27 vjeç, banues në fshatin Eçemenik.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar në rrugën e fshatin Eçemenik, automjetin me drejtues shtetasin H. C. dhe pasagjer shtetasin Sh. D. Gjatë kontrollit u gjet një qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, të cilën kanë tentuar ta hedhin nga automjeti i tyre, në momentin që janë afruar punonjësit e Policisë.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit H. C., u gjet një qese me fara të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.  Sasi e lëndës narkotike, farat dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: