TIRANË- Komisioni i Jashtëm parlamentar ka zhvilluar sot një dëgjesë me Ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffman për çështjen e azilkërkuesve por jo vetëm. Në këtë mbledhje, ambasadori Hoffman ka shprehur angazhimin e Gjermanisë për bashkëpunim me Shqipërinë, duke u nisur edhe nga raportet e shkëlqyera mes dy vendeve.

Duke folur për investimet gjermane në Shqipëri, Hoffman tha se zënë vendin e pestë, por sipas tij korrupsioni është pengesë për këto investime.

“Gjermania renditet në vendin e 5 për investime në Shqipëri. Duhet të bëjmë më shumë për rritjen e investimeve dhe vendosjen e shtetit ligjor. Korrupsioni është pengesë. Reforma në drejtësi është shumë e shumë e rëndësishme”, tha Hoffman.

Më tej ambasadori gjerman ripërsëriti edhe njëherë faktin se ka rritje të numrit të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani, por nëse në fillim pritja ishte shumë bujare, tashmë gjërat kanë ndryshuar.

“Këta azilkërkues duhet të kuptojnë se nuk ka azil ekonomik në Gjermani, pasi vijnë nga vend i sigurt origjine. Edhe nga Kosova ka pasur numër të konsiderueshëm azilkërkuesish. Ka rritje të numrit të azilkërkuesve shqiptarë drejt Gjermanisë gjatë këtij viti. Numri ra në tetor. Ata vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe disa prej tyre kanë pasur pozicion të mirë në Shqipëri. Pra nuk kanë pengesa ekonomike thjesht duan azil.

Në fillim pritja e azilkërkuesve ishte shumë “bujare” në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre por edhe të parave që u jepeshin”, deklaroi ambasadori gjerman.

Ai ka këshilluar që kjo çështje të lihet jashtë debatit partiak dhe të gjenden arsyet qëi shtyjnë shqiptarët drejt azilit.

“Këshilla ime është që çështja e azilkërkuesve të lihet jashtë debatit partiak. Këshilla ime është të “gërmoni” në arsyet që i bëjnë shqiptarët të kërkojnë azil. Shqipëria, Mali i Zi, Kosova e Serbia janë vende të sigurta origjine. Mos ejani të kërkoni vend pune në Gjermani tek ambasada. Punën duhet ta gjeni vetë”, u është drejtuar Hoffman shqiptarëve.

Ndërkohë që këto ditë pritet të dalë progres-raporti për Shqipërinë, Hoffman theksoi se Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë. Ai kërkoi implementimin sa më shpejt të reformës në drejtësi.

“Ne presim këtë javë progres-raportin. Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë

Duhet të ndiqni prioritetet e kërkuara. Gjuha e ashpër e akuzave nuk e ndihmon këtë proces. Reforma në drejtësi, kyçe. Ekspertët që asistuan reformën shumë të mirë. Ne nuk mjaftohemi vetëm me ndryshimet teknike, për ne e rëndësishme është implementimi.  Korrupsioni është problem në drejtësi. Duhet luftuar korrupsioni”, tha Hoffman.

Ambasadori gjerman tha gjithashtu se nuk ka një datë të caktuar për hapjen e negociatave, duke vënë theksin tek reformat.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: