Napoli bëhet me “krah” në këtë fund viti. Pas triumfit në Superkupë, ekipi i Contes thyen edhe Cremonese në transfertë, një fitore 0-2 që i lejon të qëndrojnë ngjitur me ekipet e kreut, -2 nga Interi kryesues. Blutë i falen një super Hojlund, me danezin që realizoi një “dopietë” golash.
Napoli e zgjidhi shumë lehtë këtë transfertë, pasi Hojlund gjeti golin e parë pas vetëm 13 minutash lojë, me “bomberin” danez që përfitoi nga një rrëmuje në zonë dhe i pa shqetësuar dërgoi topin në rrjetë. Thuajse në të njëjtën formë, në fundin e pjesës së parë, Hojlund në shtyllën e dytë me një goditje të fortë dyfishoi shifrat. Në fraksionin e dytë, Napoli administroi me qetësi avantazhin e dyfishtë, jo vetëm kaq, por Hojlund në të paktën edhe dy raste kishte mundësinë të kompletonte “tripletën”, por ishte i pafat.
Pavarësisht këtij fakti, Hojlund dhe pjesa tjetër e ekipit festojnë për këtë mbyllje perfekte që i bëjnë vitin 2025, me titull në Serie A dhe Superkupë, detaj ku u ndal edhe trajneri Conte: “Festojmë për një vit të bukur, pasi kemi bërë diçka të papritur, fillimisht titulli në Serie A dhe më pas Superkupa duke mposhtur Milan dhe Bologna-n. Në Napoli kur fiton festohet në një mënyrë ndryshe nga çdo vend tjetër. Po ecim mirë pasi edhe këtë vit jemi aty, në pozicionet e larta të klasifikimit, por përpiqemi të qëndrojmë pranë ekipeve kryesuese. Hojlund? Pikësëpari është një lojtar i ri, ka ende shumë për të përmirësuar, por po shndërrohet në një lojtar dominues në rolin e tij”, u shpreh Conte pas suksesit 0-2 përballë Cremonese.
