Holanda njoftoi të hënën se do të kontribuojë me 500 milionë euro për të blerë pajisje ushtarake amerikane për Ukrainën, duke u bërë vendi i parë i NATO-s që kontribuon në një mekanizëm të ri për ta furnizuar Kievin me armë amerikane.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha muajin e kaluar se SHBA-ja do ta furnizojë armë Ukrainën, të paguara nga aleatët evropianë, por nuk dha hollësi se si do të funksiononte kjo.
“Si aleati i parë i NATO-s, Holanda do ta dorëzojë një paketë prej 500 milionë eurosh me sisteme armësh amerikane (duke përfshirë pjesë dhe raketa Patriot)”, tha ministri i Mbrojtjes i Holandës, Ruben Brekelmans, në një postim në X.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ish-kryeministër holandez, mirëpriti njoftimin dhe tha se ka inkurajuar edhe anëtarët e tjerë të aleancës të marrin pjesë në mekanizmin e ri, të quajtur Nisma e NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL).
“Kjo është për t’i dhënë Ukrainës pajisjet që i nevojiten urgjentisht tani për t’u mbrojtur nga agresioni rus”, tha Rutte në një deklaratë.
NATO-ja tha se do ta koordinojë nismën e re, e cila financohet nga anëtarët evropianë të aleancës dhe nga Kanadaja, dhe do të ndahet në paketa me vlerë afërsisht 500 milionë dollarë secila.
Kievi mirëpriti vendimin e Holandës.
“Ukraina, dhe kështu e gjithë Evropa, do të jenë më mirë të mbrojtur nga terrori rus. Jam sinqerisht mirënjohës ndaj Holandës për kontributin e saj të konsiderueshëm në forcimin e mburojës ajrore të Ukrainës”, shkroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në X./ REL
(BalkanWeb)
