Ai nuk e pinte duhanin, po dinte të bënte çibuqe për të gjithë duhanpirësit “me llullë”. Nga të gjitha llojet e tyre, si artist që ishte për punimet në dru. I punësuar në Ndërmarjen Artistike “Migjeni”. Për Alabastrën dhe drurin e fortë…I duruar dhe merakli…Si i ati, Adrea Gjini që i “qante” mobiljet dhe që nuk iu hoq zdrukthi nga dora, veç atyre viteve, kur këtu shkeli këmba e Hrushovit e tha se “ju duhet të rroni vetëm, duke mbjellur “kukuruza!”, dhe atë e rasën brenda, nga që e shau “tullacin rus” e tha se “na erdhi “kokë misri” të na mësojë që të hamë si derrat!”.

Edhe i biri, Petraqi, që sapo na iku në “PARAJSË”-14 vite para meje-kishte po të njejtin humor të hidhur për “të prapët”, po qe jashtë mase i përzemërt me miqtë e tij, po edhe me të pesë motrat e Mondi Faturinon e linjës Kombinat- Kinostudjo, të vëllain e vetëm. Zemërbardh edhe ai, si i ati që e dinte se ç’ishte burgu dhe që, mua nipin e tij,më strehoi në kthinën e tyre me shumë fëmijë, përbri

Kombinatit”Misto Mame” dhe atij të tekstileve me emrin e Stalinit, ku shtrihej fusha e Yzberishit. Dhe nuk u ndruajtën aspak që “armiku strehoi armikun!”,-sikundër na quanin në atë kohë të tmerrshme..Po edhe e ëma, Shijaksia me humor LEVI, as që e vinte re se iu shtua edhe “një lugë” në familjen e saj të varfër..

Ata jetonin që të gjithë në një barangë të vjetër dhe njeripastjetrit fëmijët e Andreas do të largoheshin si dallëndyshet, duke krijuar familje të tjera e duke ruajtur si trashëgim zemërbardhësinë e tyre. Në të gjitha “batisjet e zbatisjet” e jetës, sido që të vinin dallgët e saj. Ca kohë unë do të banoja si “njeri i pastrehë” ca nga Xhuljana e ca nga Petraqi… Si Vetin e tij dhe si Xhulit, u qëlluan bashkëshortë të shkëlqyer që më begenisën edhe mua “ish të burgosurin politikë”, sikundër e rrëfeu i shoqi i Xhuljanës që ishte edhe komunist, po ashtu edhe e shoqia e Taqos, Veti që hapi edhe një dyqan përbri shtëpisë për të shitur byrek…

Për të rritur edhe dy fëmijët e saj : Fationën e Andrin, po aq të shkëlqyer sa edhe prindërit e tyre. Mirëpo Petraqi qe i mirë edhe për shoqërinë e tij e sa merrte rrogën e gjersa vinte në shtëpi, Veti e dinte dhe e priste që i shoqi do të vonohej me shoqërinë e vet. Edhe për mua “armikun” nuk kursehej kursesi. E tani që befas mësova se iku për atje….ku nuk kthehen më, mua më mbetën sytë tek çibuku që ende e mbaj mbi tryezën time të shkrimit, tok me buzëqeshjen e tij qiellore…
Ah, i ziu unë që nuk mundem të të përcjellë…U prehsh në paqe Taqo, o vëllai im!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb