Në hollin e Teatrit të Korçës u zhvilluan këtë të enjte homazhet në nder të aktorit të mirënjohur Zhani Ziçishti, i cili u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.
Dhjetëra qytetarë nga Korça dhe Devolli, miq, familjarë dhe artdashës, u bënë pjesë e ceremonisë për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të dashura të skenës.
Mes kurorave me lule dhe heshtjes në hollin e teatrit, komuniteti artistik u përkul me respekt përpara portretit të aktorit që për dekada me radhë i dha zë dhe shpirt roleve të tij. Ziçishti interpretoi me mjeshtëri në mbi 16 role në filmat artistikë, duke mbetur në kujtesën e publikut si një aktor me finesë dhe thellësi interpretimi.
Në homazhe ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro. Edhe kolegë të tij të skenës ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën e aktorit.
Për dimensionin njerëzor dhe kontributin e tij në jetën kulturore foli edhe miku i tij, profesori Arjan Kallço. Homazhet u organizuan nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë, ndërsa drejtoresha e institucionit vlerësoi rolin e Ziçishtit në historinë e teatrit korçar.
Korça dhe Devolli i dhanë sot lamtumirën një aktori që jetoi për artin dhe mbeti i paharruar në kujtesën e skenës shqiptare.
