PRISHTINE- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule tek varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova me rastin e festës së 28 Nëntorit, Ditës së shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë.
“Në kuadër të Festave të Nëntorit sot e nderojmë me përgjegjësinë më të lartë shtetërore Presidentin e parë të republikës së Kosovës, z.Ibrahim Rugova, për personalitetin e tij sakrifikues, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për angazhimin e tij maksimal në internacionalizimin e çështjes së Kosovës”, tha Thaçi.
Ai më tej vazhdoi me homazhet edhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke u shprehur se ndihet krenar që festat e nëntorit shqiptarët i festojnë së bashku dhe të lirë.
“Për të shprehur respektin për ata që dhanë gjithçka që patën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot bëra homazhe në kompleksin memorial në Prekaz, te shtatorja e Zahir Pajazitit, te varri i presidentit Rugova dhe te varret e Fehmi e Xhevë Lladrovcit. HTH”, shkruan Thaçi në Facebook, duke u shprehur se sot 28 Nëntori është festë e trefishtë në Kosovë.
“Është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit Adem Jashari, dhe dalja publike e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
(el.sp/BalkanWeb)
