Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një djalë 12-vjeçar është plagosur rëndë me thikë brenda banesës së tij.

Sipas të dhënave paraprake, i mituri është goditur dy herë në zonën e kraharorit, me plagë që i kanë prekur edhe mushkërinë e majtë. Hetimet e para sugjerojnë ka qenë babai ai që ka plagosur të birin dhe gjithçka ka ndodhur gjatë një konflikti familjar.

Pas ngjarjes, burri dyshohet se ka tentuar të vetëvritet duke u plagosur me thikë në zonën e qafës dhe fytyrës. Edhe nëna e 12-vjeçarit ka pësuar një dëmtim në dorë, por nuk është shtruar në spital, duke marrë ndihmën e parë në vendngjarje përpara se të paraqitej më vonë në spital ku ndodhet edhe djali i saj, i cili po lufton për jetën në repartin e terapisë intensive.

Gjithashtu, raportohet se babai ka sulmuar një infermiere të shërbimit të urgjencës 118 që kishte mbërritur në vend për të ndihmuar të plagosurit, duke e goditur sipërfaqësisht pasi ishte vetëplagosur.

Të dy, si i mituri ashtu edhe babai, janë shtruar në spitalin “Vecchio Pellegrini” dhe ndodhen nën kujdes mjekësor me prognozë të rezervuar. Në vendngjarje kanë mbërritur karabinierët, të cilët kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

Sipas informacioneve të para, familja nuk kishte histori të raportuar më parë për dhunë në familje. Hetimet vijojnë, ndërsa ngjarja ka tronditur komunitetin lokal pas njoftimit nga fqinjët e zonës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb