Një shok i vërtetë nuk ka qenë vetëm vrasja e fëmijës 12­-vjeçar, por edhe mënyra se si iu mor jeta e tij. Familja Zariu në lagjen “1 Maji” në qytetin e Fierit përcolli për në banesën e fundit djalin e vogël të saj, të masakruar nga kushëriri me probleme mendore. Në vilën 4-­katëshe të familjes Zariu në Fier është bërë si “shtetrrethim”.

Askush nuk të lë të depërtosh brenda saj, sidomos nëse je pjesë e medias. Personi i vetëm që arrin të flasë është një kushërirë e largët e familjes.

“Nuk është e mundur të futesh brenda. Gjendja është shumë e rëndë. E ëma e djalit nuk di gjë se si i ka ikur i biri nga kjo jetë. Ajo e di që dikush e ka qëlluar me gur në kokë dhe ai ka vdekur. Nuk e ka marrë vesh të vërtetën e shkreta ajo”, shprehet kushërira.

Për këtë arsye, të afërm të familjes Zariu mundohen që të mbajnë larg çdo person, prej të cilit nëna Brunilda mund të mësojë të vërtetën e dhimbshme. Kushërira tregon se e ëma e viktimës është në
gjendje shumë të rëndë psikologjike. Prej saj mësohet se në dy raste ajo është penguar në çastin e fundit për të mos realizuar tentativën për të vrarë veten, duke u hedhur nga ballkonet e shtëpisë.

Ceremonia mortore e përcjelljes së viktimës Andrea Zariu në banesën e fundit u bë në orën 12:30. Në ceremoni ishin të pranishëm shumë banorë të fshatit Palasë, aty ku iu mor jeta 12­ vjeçarit Andrea. Viktima ishte djali i vogël i familjes së Platon Zariut. Ndërsa djali i madh është 18 vjeç. Në vilën 4­katëshe nga u përcoll dje 12-­vjeçari jetonin deri dy ditë më parë gjyshërit e tij, pasi familja Zariu banonte në Greqi. Ata kishin ardhur për pushimet e verës, ku kishin qëndruar në fshatin e nënës së Andreas, në Palasë, afër detit.

Pikërisht në këtë fshat kishte dashur të qëndronte edhe disa ditë të tjera fëmija i vogël, te gjyshërit nga e ëma, pa e menduar as ai vetë, por as familjarët e tij për të keqen që do t’u pllakoste. Megjithëse autorin e njihnin si person me probleme, në asnjë moment nuk ua merrte dot mendja se pikërisht ai do të bëhej tmerri i familjes së tyre. (Panorama)

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb