Banorët e Hotolishtit në Librazhd u mblodhën sërish në protestë këtë të mërkurë, duke denoncuar mungesën e reagimit nga ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndaj shqetësimeve të tyre për projektin e Korridorit VIII.

Protestuesit kundërshtojnë planin aktual që parashikon ndërtimin e rrugës përmes fshatit dhe kërkojnë që të realizohet një tunel alternativ, i cili do të mbrojë zonën historike dhe mjedisin. Ata gjithashtu kërkojnë shpronësime të drejta, sipas vlerës së tregut.

Një banor u ankua se Balluku nuk ka dërguar “sikur një letër sqarimi” tek ta, ndërsa theksoi se një veprim i tillë nuk është bërë as nga serbët përgjatë historisë.

“Protestat do vijojnë pa ndërprerje. Do vendosim si komitet. Nuk mund ta imagjinoj këtë papërgjegjshmëri nga ministrja Balluku. Duhet të dërgonte të paktën një letër të sqaronte. Jemi shumë të indinjuar. Tek e fundit nuk kemi çfarë humbim. Me cfarëdo shpërblimi do të më japin, ku do përplasem unë 60 vjeç? Ndaj ju ka votuar një komb i tërë, që të japin zgjidhje. Po kush po pyet për tokat më, po shtëpinë? Veç plumbi e ndan këtë punë. Edhe serbi nuk e ka bërë këtë punë, ka vra njerëz në rrugë, po shtëpitë i ka lënë”, tha një prej protestuesve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb