Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz pas konsultimeve qeveritare gjermano-italiane në Romë theksoi vullnetin për një bashkëpunim më të ngushtë midis dy vendeve.
Gjermania dhe Italia janë për një “politikë të angazhuar migracioni” si dhe për t’i sjellë një “hov të ri” ekonomisë, tha Merz në një konferencë shtypi me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Po ashtu, sipas tij, synohet edhe një “dinamikë e re” në bashkëpunimin e industrisë së armatimeve të të dy vendeve. Merz vlerësoi shprehimisht partneritetin ndërmjet Italisë dhe Gjermanisë. “Ne mundëm të konstatojmë, se Gjermania dhe Italia në vitin 2026 janë kaq afër si asnjëherë më parë në historinë tonë të përbashkët”.
“Ekziston një shkallë shumë e lartë përputhshmërie ndërmjet Gjermanisë dhe Italisë në vlerësimin e sfidave me të cilat përballemi së bashku.”.
“Objektiva edhe më ambicioze”
Meloni teksoi, se Gjermania dhe Italia i kanë vënë vetes “objektiva edhe më ambicioze”. Lidhur me politikën e përbashkët të mbrojtjes, duke iu referuar qeverisë së SHBA-së nën presidenin Donald Trump, Meloni tha, se Merz dhe ajo janë të një mendimi, që shtetet europiane nuk duhet të pyesin, “ç’mund të bëjnë të tjerët për ne, por ç’mund të bëjmë ne”.
Merz më parë në platformën X shpjegoi, se Gjermania dhe Italia qendrojnë “pranë si asnjëherë më parë” dhe punojnë “për një Europë të bashkuar dhe një NATO të fortë”.
“Pa hierarki”
Merz në partneritetin me Italinë nuk sheh ndonjë konkurrencë ndaj raporteve gjermano-franceze. “Për Gjermaninë nuk ka hierarki në marrëdhënie”, theksoi kancelari.
“Ne gëzohemi për çdo vend, me të cilin kemi të tilla marrëdhënie të ngushta partneriteti ashtu si me Francën edhe me Italinë. Ne e dimë, që vetëm të gjithë bashkë mund ta përshkojmë rrugën në këtë Bashkim Europian.”
Gjatë ditëve të fundit ka pasur spekulime, që Merz mund t’i japë përparësi në të ardhmen bashkëpunimit me kryeministren e djathtë të Italisë kundrejt presidentit të Francës Emmanuel Macron. Së fundi lidhur me çështje të ndryshme qëndrime të ndryshme ndërmjet Berlinit dhe Parisit.
Të dy vendet që nga viti 1963 janë të lidhur ngushtë përmes Marrëveshjes së Miqësisë gjermano-franceze. Këto dy vende konsiderohen edhe si “motor” brenda BE-së./DW/
