TIRANE- Ahmed Kalaja, hoxha i xhamisë “Dine Hoxha” ka hedhur poshtë akuzat e disa mediave, sipas të cilave ai ka nxitur besimtarët shqiptarë të marrin pjesë në luftën e Sirisë. Në studion e lajmeve në News 24 ai sqaroi të gjitha deklaratat e tij dhe konfirmoi me bindje se nuk ka nxitur kurrë për luftë asnjë besimtar. “Intervistat e mia kanë qenë të qarta, kam pasur edhe kontestime brenda njerëzve që shfaqen anonimë. S’kemi bërë thirrje për të shkuar njerëzit në Siri. Thirrjet kanë qenë për 4 vite më parë, kur populli vuante. Kam bërë thirrje për t’ju ardhur në ndihmë më ilace. Ne i mësojmë njerëzit të bëjnë jetën më të mirë, jo vdekjen më të mirë”.

REAGON HOXHA: SHQIPTARET JO NE LUFTEN E SIRISE
Në një reagim të tijin në Facebook, hoxha hedh poshtë lajmin duke e quajtur spekulativ, ndërsa shton se shqiptarët nuk duhet të shkojnë në luftën e Sirisë. Po sipas tij, nga xhamia ku ai predikon as dhe një shqiptar nuk është nisur në luftë në Siri. “Lajmi abuziv edhe spekulativ, i nxjerrë nga konteksti; i mbushur me dashakeqësi për këtë arsye sqarojmë të gjithë opinionin e interesuar në lidhje me situatën në fjalë: Ne e kemi thënë qysh në fillim të motit, pavarësisht faktit se çfarë zgjedh populli sirian për vetën e tij, për të larguar sistemin diktatorial, gjë që ja garanton çdo e drejtë universale për të bërë zgjedhjen e vetë për liri e drejtësi e prosopritet e një jetë më të mirë e sa më të harmonizuar. Shqiptarët edhe askush nga myslimanët nëpër botë s’duhej edhe s’duhet edhe s’ka përse të përzihen në këtë luftë të paqartë ky ka qenë edhe mbetet qëndrimi ynë i paluhatur për të cilin as që ndjehem fajtor, përkundrazi tepër komod”. “Nga Xhamia “Dine Hoxha” ku unë predikoj asnjë besimtar nuk ka shkuar në Siri, jo vetëm kaq po jemi munduar të jemi sa besnik linjës së harmonisë e bashkëjetesës të trashëguar nga të parët tanë të udhëhequr nga fryma e Hafiz Ibrahim Dalliu e Haxhi Hafiz Dashi etj. Për më tepër Live sot në orën 17:00 në News 24.

MEDIAT: HOXHA NGA TIRANA “LUFTA NË SIRI ËSHTË XHIHAD”
Mediat shkruajtën sot se një hoxhë nga Tirana, i quajtur Ahmed Kalaja, në një ligjëratë të tijën, bën thirrje për luftë në Siri. “Të gjithë ju e keni kuptuar se të gjithë dijetarët e Islamit janë mbledhur në Egjipt dhe kanë dalë me një vendim unanim, se ajo që po ndodh në Siri, mbrojtja dhe lufta që po zhvillohet atje, nuk ka emër tjetër vetëm se xhihad dhe luftë e shenjtë”. Sipas Express, hoxha i bën thirrje të gjithë myslimanëve në gjithë botën që të ndihmojnë dhe të kontribuojnë për popullin e Sirisë. Po sipas saj, nga xhamia “Dine Hoxha”, ku shërben Ahmed Kalaja, ka të rinj që i janë bashkuar luftës në Siri. “Edhe në Kosovë, aty ku ka mbajtur ligjërata imami Kalaja, mësohet se ka të rinj që nga i janë bashkuar ISIS-it, siç është rasti në xhaminë e Haxhi Ibrahim Devollit në Pejë”,- shkruan Express.

(d.b/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: