TIRANE

Dhjetëra llogari në Tik- tok të regjistruara me emrin e diktatorit Enver Hoxha ose partia e punës, shpërndajnë propagandë komuniste 3 dekada pas rënies së regjimit. Një hulumtim i kryer nga një studente e gazetarisë në Universitetin e Tiranës që nxjerr në pah fenomenin, është vlerësuar me çmim të parë në konkursin “Memoria dhe të drejtat e Njeriut”, organizuar nga IDMC në bashkëpunim me Ambasadën Zvicerane. Fituesja vuri ne dukje kontradiktat e ndikuara nga padija dhe banaliteti i së keqes.

Ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, shpjegoi rëndësinë e përballjes me të shkuarën.

“Ka një vakum në Shqipëri sa i takon njohurive mbi komunizmin. Ka ende shumë për të bërë për të zbuluar shkallën e plotë të dhimbjes, traumës dhe plagëve. Zvicra mbështet përpjekjet e Shqipërisë drejt një demokracie funksionale, kjo përfshin të mësuarit nga e shkuara dhe parandalimin e gjithë formave të presionit politike. Ne e mbështesim qëndrimin mbi të shkuarën mbi të drejtën për të ditur, drejtësinë, dëmshpërblimet dhe garantimin e mospërsëritjes”, tha Huber.

Për profesor Mark Markun, përgjegjës i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës dhe Jonila Godolen nga IDMC, konkursi nxit hulumtimet dhe mos shpërfilljen e pasojave të sistemeve politike.

Konkursi vlerësoi rreth 30 punime studentësh që kanë hulumtuar mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, marrëdhënien e shoqërisë me të shkuarën. Përmes multimedias, eseve dhe posterave, gazetarët e ardhshëm kanë nxjerrë në pah histori njerëzore ku represioni ka ndryshuar ose ka ndalur jetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb