Ka humbur jetën 15-vjeçari, Erjon Boba, që u plagos disa ditë më parë me thikë në Durrës.

Adoleshenti shkoi në urgjencën e QSUT me plagë të marra nga goditjet me thikë në zemër dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale të menjëhershme.

I mituri kishte marrë 4 goditje, dy prej të cilave pranë zemrës.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku pas sherrit të nisur në rrjetet sociale, dy të miturit lanë takim për t’u sqaruar, ndërsa morën me vete shokët e tyre.
Dy grupet e adoleshentëve u përleshën fizikisht dhe sherri përshkallëzoi në përdorimin e sendeve të forta dhe mjeteve prerëse.

Babai i 15-vjeçarit zbuloi pak ditë më parë në televizionin News 24, se i biri ndodhej në intubim dhe mjekët po prisnin reagimin e trurit, që ai të dilte nga kujdesi intensiv, por adoleshenti nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë ditën e sotme, 4 dhjetor.

“Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi. Më pas do të shohim dëmtime në zemër apo në tru. Këto janë çështje të shëndetësisë dhe me detaje nuk di çfarë të shpjegoj. Por këtë e thotë mjeku i zemrës.

Parametrat janë optimale. Kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë. Do të shihen reagimet e djalit, do të shohim maksimumi brenda dy ditëve. Ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok për protagonizëm. Ia lëmë dhe shtetit pjesën tjetër”, tha ai disa ditë më parë në emisionin “Me Zemër të Hapur”, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb