U kthyen në atdhe për pushime, por ishte udhëtimi i tyre i fundit për një botë tjetër. Familja Gushi nga Patosi me katër anëtarë gjeti vdekjen në aksidentin e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën Fier-Vlorë, pranë fshatit Panaja, babai Eduarti, 44 vjeç, bashkëshortja Silvana, 33 vjeçe dhe dy vajzat Anastasia dhe Eva, 14 dhe 9 vjeçe.

Gazetari Ervis Kuçi ka qenë në banesën e familjes në Dukas Çoban në Patos, e braktisur prej kohësh. Ai tha se familja Gushi jetonte prej 20 vitesh në Greqi, ku janë aktualisht dhe prindërit e Eduartit dhe familjarë të tjerë dhe në pjesën më të madhe të vitit nuk jetonte askush.

Familja do shkonte në Vlorë, ku ndodhej familja e Silvanës për të kaluar disa ditë pushime në qytetin bregdetar. Nga aksidenti mbetën të plagosur dhe tre persona që udhëtonin me mjetin tip “Audi”.

Një i afërm i Eduartit tha për gazetarët se kishin rreth 2 vjet që nuk kishin ardhur, me sa duket për shkak të pandemisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb