Partizani ka nisur përgatitjet për sfidën e javës së 25-të në Kategorinë Superiore, teksa përballë është Flamurtari, një ndeshje kjo që të kuqtë do ta luajnë në transfertë, duke nisur nga ora 16:30 e së dielës.
Pas dy fitoreve radhazi në kampionat ndaj Bylisit dhe Tiranës (në mes është edhe triumfi në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës ndaj Elbasanit), kryeqytetasit do të tentojnë të ruajnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive për të vijuar luftën në distancë me Dinamon e vendit të katërt që aktualisht është vetëm tre pikë larg Partizanit në tabelën e klasifikimit.
Për këtë ndeshje, te “Demat” vijon të mbetet në dyshim prezenca e David Fadairo. Sulmuesi nuk është pjesë e skuadrës prej ndeshjes së Kupës me Elbasanin teksa mungoi edhe në derbin me Tiranën. Nigeriani vuan nga një shqetësim në pulpë dhe deri të shtunën mbetet për t’u parë se si do të jetë gjendja e 25-vjeçarit dhe nëse mund t’ia dalë të jetë një alternativë më shumë për krahun e djathtë të repartit ofensiv të Partizanit.
Fadairo, u transferua te kryeqytetasit në këtë merkato të janarit dhe deri më tani ka mundur të regjistrojë vetëm dy paraqitje me fanellën e kuqe. Kujtojmë se për këtë përballje, trajneri Oltijon Kërnaja nuk do të ketë në dispozicion as dyshen Paulo Buxhelaj dhe Arafat Dumbia që kanë plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë.
