Në trishtim të thellë dhe me premtimin se do ta kujtojnë gjithnjë për njeriun dhe veprën që la pas, familjarë, miq, dashamirë e kolegë përkujtuan këtë të mërkurë gazetarin Enrik Mehmeti që u shua tragjikisht në moshën 40-vjeçare.
Me lule në duar që i hodhën në brigjet e Jonit, ku Enrik Mehmeti priste dhe shoqëronte çdo ditë me mjete ujore turistë nga e gjithë bota, dhimbja që la pas nuk ka ngushëllim për nënën, bashkëshorten, fëmijët dhe vëllanë e tij.
Vlora që i kushtoi jetën, me punën si gazetar, ku trajtoi problematika nga më të ndryshmet, këtë mëngjes u mbulua me ngjyra të zymta, ndërsa emri ENRIK MEHMETI u gdhend me germa të mëdha buzë detit, në shenjë kujtese nga të afërmit e tij. Miqtë dhe kolegët e gazetarit Enrik Mehmeti që po ashtu ishte edhe operator turistik në Vlorë, ndezën mjetet lundruese, në shenjë premtimi se do të vijojnë punën me pasionin dhe këmbënguljen e tij.
Enrik Mehmeti la pas bashkëshorten dhe 2 fëmijët.
