Shqipëria po humbet gradualisht peshën dhe influencën e saj politike në Ballkan, ndërsa faktori shqiptar në rajon po shfaqet gjithnjë e më i përçarë. Ky është alarmi që ngre ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili argumenton se afrimi politik me Serbinë është shoqëruar me dobësimin e rolit udhëheqës të Tiranës ndaj shqiptarëve në rajon.
Sipas Bushatit, politika e jashtme shqiptare ka hyrë në një fazë ku marrëdhëniet personale politike dhe interesat afatshkurtra po zëvendësojnë interesin kombëtar. Ai paralajmëron se gara për influencë mes Tiranës dhe Prishtinës, mungesa e bashkëveprimit dhe fokusimi i tepruar tek normalizimi me Serbinë kanë dobësuar ndjeshëm fuqinë përcaktuese të shqiptarëve në Ballkan.
Një nga kritikat më të forta lidhet me qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kosovës dhe Dhomave Speciale në Hagë. Bushati thotë se Tirana ka ndërtuar një politikë të jashtme me dy standarde, nga njëra anë deklarime publike në mbështetje të Kosovës dhe kritikë ndaj gjyqit të Hagës, ndërsa nga ana tjetër, në forumet ndërkombëtare, Shqipëria i është bashkuar deklaratave të Bashkimit Europian që kërkojnë mbështetje për punën e Dhomave Speciale.
Sipas tij, kjo tregon se politika shqiptare ka mbetur në nivel retorike dhe nuk po përkthehet në veprim real diplomatik.
Bushati ndalet edhe tek raporti me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ku përdorimi i një gjuhe përçmuese ndaj tyre cilësohet prej tij si “i papranueshëm”. Ai paralajmëron se Tirana po lëviz mes paternalizmit dhe indiferencës, duke humbur ndjeshmërinë ndaj sakrificave historike të shqiptarëve atje për barazi politike dhe shtetformuese.
Në analizën e tij, ish-ministri i Jashtëm thekson se Shqipëria rrezikon të humbasë një nga asetet e saj më të rëndësishme strategjike, autoritetin moral dhe politik tek shqiptarët e rajonit. Sipas tij, pa një politikë të jashtme koherente dhe pa koordinim real kombëtar, faktori shqiptar në Ballkan do të mbetet i fragmentuar dhe më i dobët përballë zhvillimeve të reja gjeopolitike.
